Prishtina pëson humbjen e dytë rresht, Drita 'shkatërron' Dukagjinin, Llapi e mposht Trepçën'89 - NACIONALE

Prishtina pëson humbjen e dytë rresht, Drita 'shkatërron' Dukagjinin, Llapi e mposht Trepçën'89

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 20-të të Superligës së Kosovës, ku Prishtina ka pësuar humbjen e dytë radhazi, kësaj radhe duke u mposhtur nga Ferizaji me rezultat 1:0, në anën tjetër Drita ka arritur të arkëtojë tre pikët e para kundër Dukagjinit me fitoren 5:1, ndërsa Llapi e ka mposhtur Trepçën'89 me rezultat 2:1.

Ferizaj – Prishtina

Ndeshja e zhvilluar në Ferizaj në fushën me bari sintetik solli befasinë e javës, ku vendasit të renditur si të fundit në tabelë kanë mposhtur Prishtinën me rezultat 1:0, kështu kryeqytetasit duke pësuar humbjen e dytë rresht në nga rifillimi i sezonit.

Pasi humbën në javën e kaluar nga Dukagjini, fal edhe një vendimi skandaloz të gjyqtarit të takimit, kësaj radhe skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi u tregua e pafuqishme për të bërë diçka më shumë dhe në fund u pajtuan me humbjen.

Shënuesi i vetëm në ndeshje ishte Mateo Panadic, tre minuta para se të përfundonte pjesa e parë e takimit.

Prishtina vijon të mbetët e katërta në tabelë, ndërsa Ferizaj edhe pse fitoi vazhdon ta mbajë pozitën e fundit në tabelë.

Drita – Dukagjini

Drita e ka gjetur fitoren e parë, pas barazimit në javën e kaluar, kështu duke mposhtur skuadrën në formë, Dukagjinin me rezultat 5:1.

Gjilanasit ishin gjatë tërë takimit skuadra dominuese në fushë, por në një moment fitorja u vu në diskutim kur mysafirët barazuan rezultatin.

Ishte Ardit Tahiri që kaloi Dritën në epërsi në fundin e pjesës së parë, pas një gabimi në mbrojtje te klinasit.

Kundërpërgjigja e Dukagjinit erdhi në minutën e 60-të, ku me anë të penalltisë, Ergyn Ahmeti shënoi për rezultatin 1:1.

Intelektualët filluan ta kërkojnë fitoren me ngulm dhe në minutat në vazhdim shënuan tre gola. Fillimisht për golin e epërsisë 2:1 shënoi autogol Elton Basriu, ndërsa Besnik Krasniqi, Kastriot Selmani dhe Almir Ajzeraj u përkujdesen për rezultatin përfundimtar 5:1.

Drita me këtë fitore merr kreun e ligës përkohësisht, ndërsa Dukagjini zbret në pozitën e gjashtë.

Llapi – Trepça’89

Llapi ka shënuar edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje që nga rifillimi i sezonit, kësaj radhe e ka mposhtur Trepçën’89 me rezultat 2:1, kështu duke rrëmbyer pozitën e pestë.

Mitrovicasit patën mundësinë e artë që në pjesën e parë të kalonin në epërsi, por Ardian Muja dështoi të shënonte nga penalltia në minutat shtesë, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, Festim Alidema ia dha epërsinë 1:0 Llapit pas një asisti nga Arbër Bytyqi.

Minatorët u kthyen në ndeshje shpejt, ku me anë të Ardian Mujës barazuan rezultatin në 1:1 në minutën e 59-të, por një gol i Firminos nga penalltia në minutën e 74-të ia solli tre pikët Llapit.

Kjo fitore e çon Llapin në pozitën e pestë në tabelë, me vetëm një pikë prapa Prishtinë së vendit të katërt dhe dy pikë prapa Gjilanit të vendit të tretë, ndërsa Trepça’89 momentalisht mbetët në pozitën e shtatë në tabelë.

Lajme të ngjashme