Prishtina për një vend në Evropë, Ballkani synon trofeun e parë të Kupës së Kosovës
Sot (e mërkurë) do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit.
Dy skuadrat kanë objektiva të ndryshme, ndërsa do të bëjnë çmos për ta fituar Kupën.
FC Prishtina e sheh Kupën si ‘bileta’ e vetme që të dërgon në Evropë, duke marrë parasysh se mund të shkojnë direkt në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Prishtina ka dështuar ta sigurojë daljen përmes kampionatit, andaj skuadra e Egbos do të bëjë çmos për ta fituar Kupën.
“Finale për të arritur objektivin që është vendosur nga të gjithë, ekipi dhe klubi. Besoj se është finale që duhet ta fitojmë, sepse Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe nuk mund të ngelë pa e ngritur një trofe në sezon. Është e vetmja rrugë që Prishtina siguron Evropën dhe Prishtina e meriton të jetë në Evropë”, deklaroi Egbo para ndeshjes.
Ndërkohë, FC Ballkani ende s’e ka fituar në histori të tyre Kupën e Kosovës dhe duke marrë parasysh se u shpallën kampion për të tretin vit radhazi, e shohin kupën si “qershia mbi tortë”.
Kujtojmë, përballja zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi”.