Prishtina e mohon marrëveshjen me Dardan Berishën, por i konfirmon bisedimet e vazhdueshme për lojtarin - NACIONALE

Prishtina e mohon marrëveshjen me Dardan Berishën, por i konfirmon bisedimet e vazhdueshme për lojtarin

1 javë më parë

nga Edonis Bytyqi

Klubi basketbollistik Prishtina ka mohuar një marrëveshje të kryer për Dardan Berishën, me drejtorin gjeneral Edmond Azemi që thotë për Nacionalen se mbesin vetëm në negociata.

Ishte dje mediumi “Asistionline”, që raportoi se është arritur marrëveshja e plotë mes Berishës dhe Prishtinës. Sipas tyre, gjithçka kishte përfunduar, e kishte mbetur vetëm zyrtarizimi.

Sidoqoftë, nga Prishtina e kanë mohuar këtë marrëveshje. Në një bisedë për Nacionalen, Azemi shkurtimisht deklaroi se asgjë nuk është konkrete veçse vazhdojnë bisedimet me basketbollistin.

Jemi në bisedime me Dardanin është e vërtetë, por ende asgjë nuk është konkrete”, u shpreh Azemi për Nacionalen.

Berisha mbetet një ndër basketbollistët më të mirë në Kosovë, e vlerësohet edhe si më i miri në historinë tonë.

Ai këto vitet e fundit pas largimit nga Prishtina i kaloi te skuadra e vendlindjes, Peja, nga e cila pritet të largohet pasi i ka skaduar kontrata.

Golden Eagle Ylli ishte një opsion i përkohshëm sidomos pas largimit të Erjon Kastratit që kompletoi kalimin te rivali, Trepça, sidoqoftë pastaj klubi nga Suhareka shfaqi interesim në “shënjetra” tjera.

Dardan Berisha në histori të Prishtinës

Padyshim, nivelin më të lartë të karrierës Berisha e arriti si basketbollist i skuadrës nga kryeqyteti.

Në fanellën e Prishtinës, Berisha kishte fituar dy herë titullin e kampionit të Ksoovës, një herë Kupën, një herë Ligën Ballkani si dhe ishte shpallur dy herë MVP në Superligën tonë.

Këto dy vite, Prishtina nuk është që ka fituar ndonjë trofe, prandaj një rikthim i mundshëm i "snajperistit" kosovar mund t'ia rikthente shpresat për një garë me Yllin dhe Trepçën për titullin kampion.

Kujtojmë, se edicionin e kaluar Berisha kishte një mesatare prej 19.7 pikëve, me 5.4 asistime për ndeshje dhe fitoi Ligën Unike.

Përforcimi i madh i KB Prishtinës në këtë afat veror

Mund të thuhet se klubi më i trofeshëm kosovar, ka qenë ndër skuadrat më aktive në këtë afat kalimtar.

Fillimisht, ata treguan seriozitetin duke i dhënë stolin trajnerit turk, Ekrem Memnun, i cili la Galatasaray për të drejtuar "bardhëkaltërit".

Pas tij, rinovuan kontratën me disa basketbollistë kyç në edicionet e fundit, si kapiteni Muhamedali Janjeva, ndjekur nga basketbollistët Jetmir Zeqiri, Lesjon Zeqiri dhe Jan Palokaj të cilët nënshkruan rinovimin e kontratës.

E së fundmi, kompletuan transferimet e basketbollistëve si Rezart Memedi dhe Vakmir Kakruki.

Lajme të ngjashme