Prishtina dhe Drita me fitore bindëse, kompletohen çiftet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës - NACIONALE

Prishtina dhe Drita me fitore bindëse, kompletohen çiftet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prishtina ka shënuar fitore bindëse 4:0 ndaj Vëllaznimit, ndërsa po më të njëjtin rezultat ka triumfuar edhe Drita ndaj Prishtinës së Re, kështu për t'u kompletuar çiftet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Përballja mes skuadrës gjakovare dhe asaj të kryeqytetit u zhvillua në Malishevë.

'Vendasit' e filluan më mirë, duke arritur të shënonin vetëm pas shtatë minutave lojë, por që goli u anulua pak çaste më vone nga VAR për pozitë jashtë loje.

Pas kësaj, Prishtina mori kontrollin e ndeshjes, ku kaluan në epërsi 1:0 në minutën e 17-të me golin e Yakubu, që ishte i vetmi i pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, kryeqytetasit shënuan edhe tre gola të tjerë.

Ramiz Bytyqi e dyfishoi epërsinë në minutën e 59-të, ndërsa u shënuan edhe dy gola të tjerë për rezultatin përfundimtar 4:0 nga Ron Raçi dhe Alban Shillova.

Në anën tjetër, me të njëjtin rezultat fitore shënoi edhe lideri aktual i Superligës së Kosovës, Drita, që mposhti Prishtinën e Re në Lipjan.

Rron Broja kaloi në epërsi Intelektualët shtatë minuta pasi filloi takimi, teksa për 2:0 shënoi Kastriot Selmani në minutën e fundit të pjesës së parë.

Arb Manaj e çoi topin në rrjetë për 3:0, pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë, ndërsa për rezultatin final 4:0 u kujdes Zulfiu.

Pas këtyre fitoreve bindëse, Prishtina dhe Drita i bashkohen Llapit e Drenicës në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, teksa më vonë do të mësojmë se kush me kë do të përballet për të siguruar vendin në finale të kësaj gare, ku dihet se fituesi garanton një vend në kualifikime për gara evropiane.

Lajme të ngjashme