Presidenti i Clujit: Kemi tre oferta për Ermal Krasniqin, 99 për qind largohet
Presidenti i CFR Clujit Nelu Varga ka konfirmuar se sulmuesi Ermal Krasniqi do të largohet në këtë afat veror.
Kosovari pritet të shitet në një nga top pesë ligat evropiane, ku pëlqehet nga tre skuadra.
Edhe pse e humbi vendin e titullarit me trajnerin e ri të klubit rumun që preferon një stil lojës tjetër, Krasniqi vazhdon të jetë nën vëzhgimin e klubeve.
Varga në një intervistë për “iAMsport” ka konfirmuar se Cluj ka pranuar tre oferta deri më tani për kosovarin.
“Kemi tre oferta për Krasniqin për momentin. Një nga Franca, një nga Gjermania dhe një tjetër në Itali. 99 për qind do të largohet për një vlerë mbi 5 milionë euro”.
“Negociatat tashmë janë të avancuara, ai është futbollist i shkëlqyer”, deklaroi ai.
Në të kaluarën, kishte raportime se Krasniqi kërkohet në Korenë e Jugut dhe nga Bordeaux, mirëpo asgjë deri më tani s’është konkrete.
Dëshira e madhe e lojtarit ishte Lazio, skuadër kjo që është fokusuar në disa alternativa tjera.
Kujtojmë, me shitjen e Krasniqit një vlerë të majme do ta fitojë edhe Ballkani, pasi kanë 15 për qind të kartonit në shitjen e radhës.