Presidenti i Clujit e konfirmon: Shpenzuam 700 mijë euro për Lindon Emërllahun, është si Kovacici
Presidenti i CFR Clujit Nelutu Varga ka konfirmuar marrëveshjen me FC Ballkanin për mesfushorin Lindon Emërllahu.
Emërllahu do të kalojë te skuadra rumune, derisa Ballkani ka përfituar 700 mijë euro si dhe 15 për qind në shitjen e radhës.
Vetë Varga ka konfirmuar këtë marrëveshje, ku ndër të tjera dha lëvdata për yllin e Kosovës, të cilin e krahasoi me Mateo Kovacicin e Manchester Cityt.
“Kryem një transferim në ditën e fundit të afatit dimëror dhe morëm Lindon Emërllahun nga FC Ballkani. Më shumë gjasë ai është numri 6 më i mirë ndonjëherë që ka ardhur në Rumani. Paguam 700 mijë euro, plus 15 për qind në shitjen e radhës”.
“Është futbollist i pabesueshëm, menjëherë do të lërë shenjë në ndeshjet e Clujit. Ka pasur edhe lojtarë tjerë nga Kosova, por Emërllahu është një ndër lojtarët më të vlefshëm që kemi menaxhuar të sjellim”.
“Është transferim që e kemi mbajtur sekret sepse e donim vërtetë te Cluji. Është lojtar që e bën ndryshimin dhe do të na ndihmojë ta fitojmë titullin. Nëse do ta krahasonim me dikë, atëherë është Mateo Kovacic i Manchester Cityt”, deklaroi ai për “Fanatik.ro”.
Emërllahu ndër të tjera vlen 1 milion euro në “Transfermarkt”, kurse është shitja më e shtrenjtë në historinë e Superligës së Kosovës.