Presidenti i Barcelonës shpjegon arsyen se pse e shkarkoi Xavin
Presidenti i Barcelonës Joan Laporta e ka konfirmuar se ndryshimi i deklaratave të Xavi Hernandezit, ndikoi që të lirohet nga puna e trajnerit në “Camp Nou”.
Xavi, vetëm disa javë pasi njoftoi se do të qëndrojë edhe sezonin tjetër u shkarkua nga Laporta, vendim që befasoi të gjithë.
Laporta së fundmi ka treguar se kishte disa mosmarrëveshje me teknikun katalunas, andaj vendosi se ishte vendimi i duhur për ta ndërprerë bashkëpunimin.
“Xavi bëri punë të mirë. E mori klubin në një periudhë të vështirë”.
“Vitin e kaluar fituam La Liga-n dhe Superkupën e Spanjës. Këtë sezon, gjërat nuk shkuan mirë dhe në një pikë Xavi tha se nuk do të vazhdojë. E pranova në fundin e sezonit sepse Xavi është katalunas në zemër dhe nuk është mirë të ndryshosh trajnerin në mesin e sezonit”.
“Pastaj më pyeti nëse mund të vazhdonte dhe e pyeta nëse beson te skuadra dhe ai më tha se po. Çka ndryshoi? Ai nuk u pa në gjendje t’i qëndronte presionit. Ishte një konferencë për shtyp ku ndryshoi qëndrimin dhe kërkesat, prandaj mendova se skuadrës i duhet një freski”.
“Kishim opsionin e Hansi Flickut, që dukej në gjendje të garonte më të gjithë në skuadër, kjo ishte vendimtare. Mendoj se e mbyllëm në mënyrë elegante me Xavin. Ai e mbajti fjalën, edhe ne gjithashtu. Kemi arritur marrëveshja”.
Laporta ndër të tjera shtoi se kishte diskutuar edhe më parë me Flick.
“Në shenjë respekti për Xavin e ngadalësuam procesin, në mënyrë që të mos i pengonim as nuk shikuam trajner tjetër. Nuk donim ta shqetësonim skuadrën, që ishte në çerekfinale të Ligës së Kampionëve”.
“Kisha diskutuar më parë me Flick, por kishte marrëveshje me një klub gjerman dhe doja ta respektoja. Kur Xavi tha se nuk do të vazhdonte, Flick e studioi skuadrën dhe mënyrën më të mirë për të marrë avantazhin”.