Portugalia shënon fitore të thellë ndaj Turqisë, kualifikohet në 1/8 e finales së Evropianit - NACIONALE

Portugalia shënon fitore të thellë ndaj Turqisë, kualifikohet në 1/8 e finales së Evropianit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Portugalisë ka shënuar fitore të thellë me rezultat 3:0 ndaj Turqisë, në xhiron e dytë në kuadër të grupit F, kështu duke siguruar një vend në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian.

U udhëhequr në fushë nga Cristiano Ronaldo, tani Portugalia ka fituar dy ndeshjet e para në grupe të EURO 2024, duke siguruar një vend në mesin e 16 kombëtareve më të mira të Evropës, ndërsa Turqia do t'i duhet të luftojë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Çekisë.

Takimi i sotëm u zhvillua në qytetin e Dortmundit, në Signal Iduna Park.

Portugalia ishte skuadër shumë më konkrete, duke realizuar rastet e krijuara, në anën tjetër Turqia vuajti për të ardhur deri te goli.

Skuadra e Roberto Martinez shënoi dy gola në pjesën e parë, dhe një tjetër në pjesën e dytë, për të fituar 3:0.

Ishte fillimisht Bernardo Silva që shënoi për 1:0 në minutën e 21-të.

Vetëm shtatë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 28-të, u shënua një autogol qesharak. Mbrojtësi Akaydin në tentim për ta kthyer topin te portieri e çoi topin në rrjetë për 2:0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.

Në 45 minutat në vazhdim, Portugalia bëri krejt çfarë ishte e nevojshme për ta fituar ndeshjen pa mos pësuar gol.

Golin për rezultatin përfundimtar 3:0 e shënoi Bruno Fernandes, pas një veprimi fantastik të Ronaldos, që asistoi për yllin e Manchester Unitedit, ndonëse lehtësisht mund të shënonte i vetëm.

Portugalia me rezultat 3:0 e fitoi ndeshjen ndaj Turqisë dhe tashmë është kualifikuar në 1/8 e finales me gjashtë pikë të grumbulluara.

Lajme të ngjashme