Portieri që dikur u prezantua si i Kosovës: Dua të bie në sytë e Zvicrës
Portieri i Luganos, Amir Saipi është "përforcimi" më i fundit i listës së gjatë të lojtarëve që po presin ftesën e Kombëtares së Zvicrës para asaj të Kosovës.
Saipi për tifozët tanë mund të jetë një emër i njohur, pasi ishte njoftuar si "dardani" më i ri në gushtin e vitit 2019, më saktësisht me 26. Në atë vakt, dukej punë e kryer sa që edhe faqja zyrtare e FFK-së kishte bërë një postim të tillë.
“Shpresoj që shumë shpejt do të fillojmë procedurat e pajisjes me dokumentet e nevojshme dhe në tetor të jetë i gatshëm grumbullimi i tij dhe bashkëngjitja në familjen tonë Dardane. Edhe një Dardan i ri, vazhdojmë me krenari e përgjegjësi”, ishte deklarata e të parit të FFK-së, Agim Ademi. Por tani, postimi në "Facebook" ka mbetur, mirëpo jo edhe lajmi pasi është fshirë nga faqja zyrtare.

Por, tani kanë kaluar tre vite e situata ka ndryshuar rrënjësisht. Amir Saipi është bërë portier titullar te Lugano, por nuk po e konsideron fare Kosovën. Ai thekson se është duke provuar të bie në sytë e përzgjedhësit të Zvicrës, Murat Yakin.
"Isha përzgjedhës i kombëtares së re (Zvicra U21), u kualifikuam në Kampionat Evropian dhe do të bëjmë gjithçka që të shkojmë sërish".
Pastaj ai pak a shumë konfirmoi se nuk e konsideron Kosovën, pasi as nuk e ka aktivizuar dyshtetësinë sepse beson se mund të luajë te Zvicra A.
"Dua që të bie në sytë e Yakin, por tani po mendoj vetëm për Luganon dhe që të përmirësohem. Nëse nuk do të isha në lartësinë për të luajtur për kombëtaren A, do të mund ta bëja të vlefshme dyshtetësinë (që e lejon të luajë për Kosovën)".
"Në futboll asnjëherë nuk e di se çfarë të sjelle e ardhmja", përfundoi ai në intervistë për "rsi.ch".