Policia e Kosovës e konfirmon arrestimin e Solomonit
Policia e Kosovës e ka konfirmuar arrestimin e sulmuesit të Dukagjinit Theophilus Solomon në ndeshjen ndaj Dinamos së Ferizajt.
Solomon u arrestua pak para se të futej në lojë, ku policia e kishte marrë brenda në tunel dhe pastaj ia vendosi prangat.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Daut Hoxha në një përgjigje për Gazetën Nacionale.
“Mund t’iu konfirmoj se një person shtetas i huaj, i kërkuar nga INTERPOL, konkretisht nga Republika e Shqipërisë është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për procedura të metejme sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, tha Hoxha.
Për çfarë u arrestua Solomon?
Kjo nuk është hera e parë që Solomon arrestohet nga Policia e Kosovës, pasi një situatë e tillë i kishte ndodhur edhe kur mbronte ngjyrat e skuadrës së Gjilanit.
Në bazë të asaj që raporton “Indeksonline”, Solomon është arrestuar pasi s’është paraqitur që tre muaj në stacionin policor, gjë që e ka të obligueshme shkaku që vazhdon të jetë nën akuza për dhunë fizike ndaj ish të dashurës në Shqipëri.
Nacionale ka kontaktuar edhe trajnerin e Dukagjinit Armend Dallku për këtë situatë, por ky i fundit tha “Ende nuk dimë asgjë për këtë çështje”.
Ndërkohë, Dukagjini avancoi në çerekfinale të Kupës së Kosovës.