"Po tregon vazhdimësi të formës": Mesfushori i ri i Kosovës lëvdohet nga mediet holandeze - NACIONALE

"Po tregon vazhdimësi të formës": Mesfushori i ri i Kosovës lëvdohet nga mediet holandeze

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arianit Ferati është pjesë e Fortuna Sittardit në kampionatin holandez. Gjatë këtij sezoni ai po lë mbresa të mira, duke treguar formë të admirueshme në vazhdimësi. Vetë mediet e mëdha holandeze janë ndalur te ky aspekt.

Hallet e kombëtares kosovare në mesfushë janë të njohura. Një mori lojtarësh në këtë repart të fushës ose gjendën afër ndryshimit të skuadrave si pasojë e minutave të mangëta që kanë me ekipet aktuale ku aktivizohen, ose janë në formë të brishtë apo thjesht janë transferuar në kampionate periferike duke u vetëpërjashtuar nga ndonjë ftesë e përzgjedhësit Alain Giresse.

Kosova gjatë grumbullimit të nëntorit ftoi disa emra të rinj. Në mesin e tyre ishte edhe Arianit Ferati. Mesfushori që luan në kampionatin holandez, gjegjësisht për skuadrën e Fortuna Sittard, është duke u paraqitur mjaft mirë në këtë sezon. Ai mori vëmendjen edhe të gjigantit “ESPN” në Holandë, që glorifikoi atë për mënyrën se si ka luajtur në ndeshjen e fundit, kur skuadra e tij fitoi 2:0 kundër Heerenveenit.

“Në mesfushë Arianit Ferati jashtëzakonisht ka treguar vazhdimësi të formës që prej emërimit të trajnerit spanjoll (Julio Velazques). Mesfushori qëndror ka qenë posaçërisht i çmueshëm në aspektin defanziv kundër Heerenveenit”, shkroi mes rreshtash mediumi i madh holandez.

25-vjeçari në ndeshjen në fjalë luajti si mesfushor balancues. Ai fitoi katër duele së bashku me bashkëlojtarët e tij në mesfushë, e që përbëjnë numrin më të madh të dueleve të fituara nga pjesa dërrmuese e lojtarëve tjerë në Eredivisie gjatë xhiros së fundit.

“Së bashku me El Yaakumbi dhe Nathan Tjoe-A-On, regjistroi katër duele të fituara, më shumë seç fituan të gjithë lojtarët tjerë në xhiron e mesjavës së Eredivisie”, përfundoi “ESPN”.

Ferati zhvilloi paraqitje të plotë pa u zëvendësuar fare. Ish-trajneri spanjoll i Udineses, Velazques, e ka shndërruar në pikë referimi për skuadrën e tij.

Për momentin, kur janë zhvilluar 18 javë në kampionatin holandez, Fortuna Sittard zë pozitën e 12-të tabelore, duke qëndruar gjashtë pikë larg zonës së mbijetesës.

Nga aspekti i të qenët proaktiv në sulm, përfaqësuesi kosovar është treguar më i mangët. Në shtatëmbëdhjetë (17) paraqitje të zhvilluara në kampionat ai ka shënuar vetëm një (1) gol dhe një (1) asist në sezonin e sivjetëm.

Ndërkaq për Kosovën së pari debutoi kundër Armenisë më 16 nëntor 2022. Ai u inkuadrua në fushë gjatë pjesës së dytë, kur luajti për 25 minuta. Në këtë ndeshje ai regjistroi asistin për golin e barazimit në 2:2.

Ndeshjen tjetër, atë kundër Ishujve Faroe, që u zhvillua pas tre ditësh, e luajti të plotë, në barazimin që regjistruan “dardanët” me rezultat 1:1.

Meqenëse Giresse nuk ka edhe shumë alternativa në mesfushë, Ferati do të mund të konsiderohej një aset i çmuar për këtë repart, i cili po përjeton një krizë të pafundme.

Lajme të ngjashme