“Po shet pallavra”, “Nanën ia kajsha” – Katrahura në studiot televizive
Një debat i rëndësishëm televiziv për rrëmujën e shkaktuar nga thirrja e parakohshme dhe kundërthënëse e zgjedhjeve të reja në Federatën e Futbollit të Kosovës u prish nga një nivel... aspak edukativ nga panelistët në studio.
Vendimi i FFK-së për të thirrur zgjedhje të reja pa ndonjë arsye ligjore, duke qenë se presidentit të tanishëm Agim Ademi nuk i mbaron mandati katërvjeçar deri në korrik, ka shkaktuar shumë polemika në vend.
Kjo po shihet si një përpjekje dëshpëruese e Ademit, i cili është në rigjykim për veprën penale shtytje në tentativë, për ta siguruar edhe një mandat të ri katërvjeçar.
Emisioni i thirrur nga autori i “Pressing” në Televizionin 7 zgjoi interesim të madh për shikuesit të martën mbrëma.
Nëse je ndjekës i rregullt i debateve televizive në vend veshi juaj mund edhe të jetë i mësuar me një nivel të pakënaqshëm të debatit në aspektin arsimor.
Përpjekjet e Leonard Kerqukit, drejtuesit të emisionit, për ta mbajtur debatin në nivel ishin të mëdha, por as vetë ai nuk mundi të bënte asgjë.
E gjitha nisi me gazetarin veteran Agim Kasapolli, i cili ishte i papërmbajtshëm dhe shfaqi edhe parapëlqimet e veta televizive.
“S’je ardhë ti këtu në TV Dukagjin, ky është televizion serioz, nanën ia kajsha. Prit pak në rend”, - iu drejtuar Kasapolli, ish-zëvendës sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Arianit Ahmetit.
Tamam kur autori i emisionit i ktheu gjërat në binarë në studio, ish-presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, shpërtheu në kritika ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit.
“Kurrën e kurrës, në jetën e vet, aq sa është i rëndë. Një njeri i paaftë. Një njeri që nuk ka mundur të bëjë asgjë, do të mbahet në mend si njeriu ma parazit, i cili e ka dëmtuar këtë qytet”, - Remzi Ejupi.
Fjalë aspak të lakmueshme për ta kritikuar dikë.
Ndërhyrja brutale e Lulzim Berishës
Kryetari i grupit të tifozëve zyrtarë të Kosovës, “Dardanët”, Lulzim Berisha, ishte i ashpër në lidhjen e tij drejtpërdrejt në emision përmes Skype.
“E kisha pasë vetëm një pyetje për zotëri Ejupin, i cili që dy herë shet pallavra dhe vrer. Ku i ka ble ato bileta?”
Berisha po e pyeste Ejupin për çështjen e biletave të ndeshjeve të Kombëtares dhe rreth dyshimeve të ngritura nga ai për shitjen e tyre në tregun e zi.
Ai nuk e kurseu as profesorin dhe ish-trajnerin e futbollit, Bylbyl Sokolin
“Profesor edhe më leshu këso fjalësh nuk kisha besu”, - Lulzimi drejtuar trajnerit të futbollit Bylbyl Sokoli, i cili kishte menduar se Stadiumi i Kombëtar do t’i kishte 60 mijë ulëse. Një projekt i nisur e i lënë anash.
Kasapolli goditi sërish
“Juristi i ka shti, pallavra je tu folë”, - i thotë Kasapolli Sylës, i cili po tregonte se si Agim Ademi i ka 18 vota, sipas tij, të garantuara brenda federatës.
Mbase çasti më qesharak në tërë këtë katrahurë erdhi kah fundi i emisionit, kur Kasapolli e pyeti zotëri Kerqukin pse nuk e kishte asnjë zyrtar të federatës në studio.
“Ishte Taulanti, përmes lidhjes me Skype”, - i tha drejtuesi i emisionit.
“Le bre, Taulanti... po Taulanti nuk ish në tokë të bukës, ai kurrkund nuk ish pashë Zotin.”