Po kërkohet nga shumë skuadra, Albion Rrahmani pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në historinë e Rapid Bukureshtit - NACIONALE

Po kërkohet nga shumë skuadra, Albion Rrahmani pritet të bëhet shitja më e shtrenjtë në historinë e Rapid Bukureshtit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk ka shumë kohë që ylli i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, u transferua nga Superliga e Kosovës në atë të Rumanisë, por ai ka impresionuar që nga momenti i parë që shkeli atje.

Në sezonin e tij të parë, ai shënoi 17 gola dhe bëri pesë asistime, duke bërë që shumë skuadra të shpresin interesim për të.

Njëra nga skuadrat më të interesuara është Glasgow Rangers.

Ofertat për Rrahmanin nuk kanë të ndalur nga klubet evropiane, me lojtarin që vlerësohet mbi 3.5 milionë euro nga Transfermarkt.

Siç raporton Digi Sport nga Rumania, skuadra çeke Slavia e Pragës ka shfaqur interesim por ka ofruar vetëm tre milionë euro, me Rapidin që kërkon hiç më pak se tetë milionë për ta lënë të lirë. Diferencë mjaftë e madhe mes palëve dhe vështirë se ylli kosovar do të transferohet në Çeki.

Megjithatë, sulmuesi i Kosovës, mund të shitet në Skoci, ku Glasgow Rangers thuhet se janë të gatshëm të ofrojnë dyfishin e shumë së ofruar nga Slavia e Pragës, pra rreth gjashtë milionë euro.

Një nga zyrtarët e Rangers ka pasur tashmë një diskutim me përfaqësuesit e lojtarit. Nils Koppen, drejtori i ri i departamentit të “rekrutimit”, ishte në Meksikë në një samit ku u takua me zyrtarë të KT Management, kompania që përfaqëson Albion Rrahmanin, por edhe me Ermal Krasniqin, një tjetër lojtar kosovar nga skuadra e Rapidit.

Së fundmi, drejtuesit e Rapid deklaruan se Albion Rrahmani do të bëhet transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit, një rekord që aktualisht mbahet nga Rareş Ilie (21 vjeç), futbollist i shitur te OGC Nice për 5 milionë euro.

Lajme të ngjashme