Plot 8 milionë euro të avulluara nga bilanci vjetor – Juventus në telashe të mëdha - NACIONALE

Plot 8 milionë euro të avulluara nga bilanci vjetor – Juventus në telashe të mëdha

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vijojnë të publikohen copëza të përgjimeve në mediet italiane në lidhje me skandalin e abuzimeve me bilancin vjetor nga Juventus. Raportimet mediale bëjnë të ditur se janë avulluar 8 milionë euro nga bilanci vjetor i rremë i klubit torinez.

Një hallkë e tërë e drejtuesve të Juventusit është nën akuzë për mashtrime e abuzime në lidhje me pagat e lojtarëve dhe bilancin vjetor të deklaruar.

Drejtuesit e Juventusit për t’i mbuluar borxhet marramendëse me rritje eksponenciale në sezonet e fundit, kishin përgatitur skenare të jashtëligjshme.

Mirëpo, Prokuroria e Torinos është treguar syhapur, duke hapur një hetim ndaj “Zonjës së Vjetër”, me ç’rast edhe paria kryesore e menaxherëve të klubit ofruan dorëheqje, në krye me Agnellin.

8 milionë euro të avulluara

Tani, është “Corriere Della Sera” ajo që publikoi një artikull të ri, ku thuhet se prokurorët janë të bindur se Juventusi ka avulluar 8 milionë euro nga bilanci vjetor.

Kjo vjen si pasojë e një dokumenti “Excel” që Prokuroria e Torinos ka sekuestruar në vazhdën e bastisjeve që ka bërë në klubin më të trofeshëm italian.

Këto 8 milionë euro dyshohet se kanë shkuar në favor të rrjetit të agjentëve të lojtarëve, të cilët kanë ndihmuar klubin që të manovrojë me disa blerje e shitje futbollistësh, me qëllim për t’i rregulluar “në letër” bilancet vjetore.

Gjatë intervistimit në Prokurorinë e Torinos, sipas “Corriere Della Sera” vetë njëri prej drejtuesve të klubit, më saktësisht Cherubini, ua ka bërë të ditur prokurorëve që është në dijeni se ka ekzistuar një praktikë e tillë.

Në vazhdën e gjithë kësaj amollie të krijuar nuk ka munguar edhe përfshirja e lojtarëve. Duket se drejtuesit e Juventusit kanë shfrytëzuar ish-kapitenin e skuadrës, Giorgio Chiellinin, që të bëjë marrëveshje të fshehta me lojtarët tjerë gjatë kohës së erupsionit të Covid-19 dhe vështirësive që kishte klubi për t’i paguar lojtarët.

Megjithatë, dikush prej lojtarëve nuk është pajtuar me një trajtim të tillë dhe duket se ka fotografuar ato mesazhe e më pas kanë rrjedhur edhe në publik.

Federata e Futbollit të Italisë ka refuzuar që ta dënojë Juventusin. I pari i futbollit italian ka thënë se nuk parapëlqen veprime të ngutshme dhe se do të presë që drejtësia ta thotë fjalën e vet para se të ndërmarrë ndonjë hap.

Deri më tani, në bazë të statutit të Federatës së Futbollit të Italisë dhe akuzave që rëndojnë Juventusin, dënimi me pikë është skenari i vetëm. Nëse hetimet do të thellohen edhe më tej dhe nëse do vërtetohen shkelje tjera të bëra nga drejtuesit e klubit torinez, atëherë mund të ndryshojë gjithçka edhe sa i përket dënimeve.

Tani, UEFA gjithashtu ka konfirmuar hapjen e hetimeve për shkeljet e mundshme të "Zonjës së Vjetër" për Fair Play-in Financiar.

“Dhoma e Parë e CFCB (Trupi i Kontrollit Financiar të Klubit të UEFA-s, red.), sot hapi një hetim zyrtar kundër Juventus FC për shkelje të mundshme të rregullave për licencimin e klubeve dhe lojën e ndershme financiare”, thuhet fillimisht në deklaratë.

Lajme të ngjashme