Juventus: Akuzat janë të pabaza, jemi të bindur që kemi operuar në respektim të ligjit
Juventus ka lëshuar një komunikatë për medie, ku ka dashur të sqarojë edhe një herë pozicionin e saj në lidhje me akuzat që e rëndojnë për falsifikim të bilancit vjetor në sezonet e fundit. Klubi është deklaruar se ndihen të pafajshëm.
Orë kritike në Torino. Klubi i Juventusit po kalon në ditë të vështira, me të gjithë Këshillin Drejtues që ofroi dorëheqje në mbrëmjen e të hënës.
Pasi nga detyrat zyrtare u larguan Agnelli, Arrivabene dhe Nedved, aksioneri kryesor, Elkann, premtoi se së shpejti klubi do të marshojë drejt një tjetër epoke triumfuese.
Ndërkohë për ta sqaruar pozicionin e tij, klubi i Juventusit para pak minutash ka lëshuar komunikatë për medie ku është deklaruar krejtësisht i pafajshëm në raport me akuzat që rëndojnë mbi ta.
“Në lidhje me disa raportime që janë publikuar në shtyp, duke respektuar maksimalisht organet e drejtësisë dhe duke pasur besimin e plotë në gjyqësor, Juventus dëshiron të sqarojë se ndihet plotësisht i pafajshëm për akuzat e pabaza që ka bërë Prokuroria e Torinos”, thuhet në komunikatën e Juventusit.

Zonja e vjetër sqaroi se është gati ta mbrojë të vërtetën e saj para çdo organi të drejtësisë, sepse beson fuqimisht që ka operuar në linjë me ligjin.
“Jemi të gatshëm të mbrohemi në çdo organ për akuzat që na janë paraqitur”, thuhet përmbledhurazi në komunikatën sqaruese të klubit torinez.
Akuzat e Prokurorisë së Torinos se klubi ka falsifikuar bilancet vjetore, duke manipuluar me disa blerje dhe shitje lojtarësh me qëllim që ta mbulojë disi rrjedhën e humbjeve marramendëse, kanë shkaktuar tronditje tektonike në nivel klubi.
Agnelli, Nedved dhe Arrivabene së shpejti para bankës të akuzuarve
Shtypi italian shkruan se së shpejti Prokuroria e Torinos do ta ftojë për t’u paraqitur si i pandehur ish-presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli.
Ai, së bashku me ish-drejtuesit e Juventusit si Nedved dhe Arrivabene, do të ftohen për t’i sqaruar në detaje të gjitha akuzat në lidhje me shkeljen e ligjit.

Megjithatë, gjithnjë sipas raportimeve të medieve italiane, thuhet se ky proces gjyqësor nuk do të fillojë të paktën para muajit mars të vitit 2023.
Në tërësi 16 janë të pandehur, pa përfshirë këtu të gjithë zyrtarët e Juventusit. Këtu hyn edhe Fabio Paratici, sot shef ekzekutiv i Tottenhamit, i cili më herët ishte njëri prej drejtuesve të Juventusit.
Tani për tani ajo që mund ta pësojë Juventusi është dënimi me pikë. Lënda akoma nuk ka arritur në pikën kur klubi do të mund të rrezikonte rënien nga kategoria.

