Plisat i godasin drejtuesit e Prishtinës: Jeni armiku i klubit
Tifozët ultras të Prishtinës, Plisat, i kanë kritikuar udhëheqësit e klubit bardhekaltër gjatë finales së Kupës së Kosovës kundër Gjilanit, duke i fajësuar për gjendjen nëpër të cilën po kalon klubi.
“Armiku i klubit është vet kryesia”, shkruhet në një baner të vendosur nga Plisat në tribunat e Stadiumit Fadil Vokrri gjatë finales së kupës të hënën pasdite.

Prishtina nuk është licencuar për garat evropiane dhe nuk do të mundë të luajë në kualifikime për Ligën e Konferencës, edhe nëse e fiton Kupën e Kosovës.
Gjiganti i Superligës ka qenë në telashe të vazhdueshme financiare dhe nuk po kalon kohë të mira.
Bashkëpronarët Remzi Ejupi dhe Rrahman Haradini nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët për tejkalimin e krizës financiare as pas suksesit që klubi e gëzoi kur e fitoi titullin dhe përfitoi financiarisht nga kualifikimet në Ligën e Evropës para dy sezoneve.
FFK-ja ia hodhi poshtë dy herë kërkesën për t’u licencuar në UEFA për garat evropiane klubit bardhekaltër, për shkak të telasheve financiare.
Prishtina mohon të ketë telashe financiare dhe pretendon se i ka plotësuar kushtet, duke paralajmëruar ankesë edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër.
Për më tepër, Prishtina - së bashku me Ferizajn, Dukagjinin dhe Trepçën '89 - janë duke u hetuar nga organët shtetërore për përfshirjen e dyshuar në kurdisjen e dy ndeshjeve të ditës së fundit të sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës.
Prishtina dyshohet se ai lëshoi lojën Trepçës '89, duke i pranuar dy gola të shpejtë në fund të takimit, pasi po fitonte 1:0, për të humbur në fund 2:1.

