Nisin hetimet për ndeshjet e dyshuara Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina - NACIONALE

Nisin hetimet për ndeshjet e dyshuara Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka nisur një hetim shtetëror për ndeshjet e dyshuara të Superligës Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina, të cilat tronditën vendin me mënyrën sesi përfunduan të dielën.

Zëvendësministrja e Sportit Daulina Osmani njoftoi të hënën herët se Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport e dorëzuar rastin për hetim në prokurorinë e shtetit.

“Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport”, njoftoi Daulina Osmani, zëvendësministrja e Sportit.

Ferizaji dhe Trepça ’89 po luftonin për mbijetesë në ditën e fundit të sezonit 2022/23 dhe fituan të dyja me gola të dyshimta në kohën e tejzgjatur shtesë.

Trepça ’89 po humbte 1:0 kundër Prishtinës në Mitrovicë deri në minutën e 85-të dhe arriti ta përmbysë rezultatin për të fituar 2:1 brenda pak minutash falë një mbrojtjeje të pashqetësuar dhe moskokëçarëse vizitore. Mënyra sesi bardhekaltrit i pranuan dy gola në fund ngriti shumë dyshime.

Në Ferizaj, ndërkohë, gjyqtari dha 17 minuta shtesë për një ndërprerjeje të shkurtër të ndeshjes dhe për zhagitje të lojës, dhe vendasit shënuan në minutën e 104-të golin e dyshimtë që ua siguron një vend në play-off për të qëndruar në Superligë.

Portieri Altik Muhaxhiri bëri një hedhje të çuditshme duke i larguar duart nga topi që në çfarëdo rrethane do ta kishte hapur me duar patelashe. Ky rast habiti gjithë vendin dhe nxiti reagime të ashpra.

“Nuk mund t'i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.

Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet”, theksoi Osmani.

“Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment.”

Lajme të ngjashme