Play-Offi i Superligës së Kosovës: Ylli e fiton gjysmëfinalen e parë ndaj Pejës në Karagaç - NACIONALE

Play-Offi i Superligës së Kosovës: Ylli e fiton gjysmëfinalen e parë ndaj Pejës në Karagaç

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ka filluar seria e gjysmëfinaleve të Superligës së Kosovës në basketboll, aty ku Peja e priti Yllin në Palestrën Karagaçi, me mysafirët që morën fitore të rëndësishme me rezultat 87:84.

Peja mori vendin e dytë në sezonin e rregullt dhe si rrjedhojë shkoi direkt në gjysmëfinale, ndërsa për Yllin ishte paksa rrugë më e gjatë, ku iu desh ta fitonte serinë çerekfinale ndaj Bashkimit.

Ndeshja në Palestrën Karagaçi ishte shumë e mirë, duke pasur përmbysje të madhe të rezultatit nga mysafirët në çerekun e fundit, nga ku e arritën edhe fitoren.

10 minutat e parë ishin pothuajse të barabartë, me Yllin që fitoi 23:22, e çereku i dytë u mbyll 19:19, duke shkuar në pushim me mysafirët në epërsi prej një pike, apo 42:41.

Pejanët ishin të pandalshëm në çerekun e tretë, ku shënuan 30 pikë, e pësuan vetëm 15, për të shkuar në 10 minutat e fundit të takimit me epërsi prej 14 pikëve.

10 minutat e fundit i takuan plotësisht Yllit, të cilët arritën një përmbysje të madhe me 30 pikë të shënuara, e vetëm 13 të pranuara, me rezultatin përfundimtar në të mirë të tyre 87:84.

Padyshim lojtari më i dalluar si çdoherë ishte Alonzo Verge Jr i cili shënoi 32 pikë, i ndihmuar nga 17 pikë të Gëzim Morinës, 14 të Jan Palokajt dhe 11 të Grimes.

Në anën tjetër u dallua Justin Davis me 22 pikë dhe Jimmy Hall me po aq, që ishin të pamjaftueshme për skuadrën e tyre.

Kështu seria gjysmëfinale shkon në 1:0 për Yllin, me ndeshjen e radhës që zhvillohet në Suharekë.

Në finale shkon skuadra që shënon tri fitore e para.

Lajme të ngjashme