Pezullohet xhirollogaria bankare e Chelsea - NACIONALE

Pezullohet xhirollogaria bankare e Chelsea

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Chelsea, ka marrë edhe një goditje tjetër të rëndë. Kësaj radhe klubit londinez i janë pezulluar përkohësisht nga banka Barclays xhirollogaria bankare, si dhe kartat e kreditit të ndërmarrjes, pas vendimit që ndërmori dje shteti britanik për t'ia ngrirë të gjitha asetet pronarit rus të Chelsea, Roman Abramovich, përfshirë këtu vetë klubin në fjalë.

Lajmin e ka bërë publik mediumi britanik Sky Sports News, duke shpjeguar se një vendim i tillë është ndërmarrë në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për ta rishikuar licencën që i është dhënë klubit, për t'i vazhduar aktivitetet futbollistike.

Nuk duhet të harruar fakti që tani e disa kohë Barclays është edhe sponsori zyrtar i Premierligës.


Këto masa shtrënguese vijnë në vazhdën e sanksioneve që qeveria britanike po ndërmerr ndaj oligarkëve rusë që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar, paçka pjesë e kësaj garniture është konsideruar edhe pronari i Chelseat, Roman Abramovich. Sanksionet ndaj tij peshuan drejtpërdrejt te "blues".

Gjatë ditës së djeshme ekzekutivi i udhëhequr nga Boris Johnson, vendosi që t'ia lejonte Chelseat një licencë, e cila i jepte dritën jeshile për t'i vazhduar garat futbollistike, në të dy nivelet - të meshkujve dhe femrave, si dhe për ta paguar personelin administrativ të brendshëm.

Nën-Sekretari për Teknologji dhe Ekonomi Dixhitale në qeverinë britanike, Chris Philp, sot, në mënyrë tekstuale dhe të qartë vuri në pah qëndrimin e tyre si ekzekutiv, që nuk do t'ia lejojnë në asnjë mënyrë Abramovichit që të përfitojë nga shitja e klubit, duke pamundësuar që paratë t'i derdhen në xhirollogarinë e tij bankare. Qeveria britanike është e vendosur që mos të pranojë asnjë ofertë të tillë, ku Roman Abramovich përfiton qoftë edhe ndonjë qindarkë nga shitja e klubit.

Madje, vetë shitja e klubit do të duhet të kalojë përmes "aminit" të qeverisë britanike, që nënkupton se fillimisht blerësi potencial duhet t'i drejtohet institucionit të shtetit, duke i kërkuar që t'i modifikojë kushtet e licencës së klubit, në mënyrë që të jetë e mundur shitja e aksioneve të klubit.

Në mesin e gjithë kësaj mjegulle, skuadra e Thomas Tuchel po përgatitë sfidën shtëpiake ndaj Newcastle, që luhet të dielën, me fillim në ora 15:00.


Lajme të ngjashme