Përvoja e veçantë e Kosovës me kombëtaret afrikane - NACIONALE

Përvoja e veçantë e Kosovës me kombëtaret afrikane

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtares së Kosovës iu njoh e drejta nga FIFA që t'i luajë miqësoret duke filluar nga 5 marsi, 2014, kur në Mitrovicë u ballafaqua ndaj Haitit, për ta shënuar kështu hapjen e një kapitulli të ri. Sot, në program ka një tjetër miqësore, atë ndaj Burkina Fasos, me fillim në ora 18:00. Përgjatë këtyre viteve kanë spikatur aranzhimet e miqësoreve ndaj kombëtareve afrikane. Madje, më shumë sesa çdo kombëtare tjetër në nivel ballkanik ta ketë bërë të njëjtën.

Një historik miqësoresh me metamorfoza


Historiku i miqësoreve të Kosovës ka qenë gjithnjë sfilitës. Të vështira ishin aranzhimet e tyre para dhënies së lejes nga FIFA në fillimvitin e 2014-es. Me ta pranuar këtë dritë jeshile, krerët e FFK-së kanë vrapuar për të bërë të mundur zhvillimin e miqësoreve dhe gjetjen e kundërshtarëve. Mu te kjo pjesa e fundit, ka pasur gjithmonë telashe. Nëse jo në 2014-en, kjo ndodhi një vit më vonë, në 2015-en. Ai ishte vit shumë i vështirë për t'i programuar miqësoret. Ishin disa sosh që u anuluan, pasi më parë ishin paralajmëruar që do të luheshin.

Pikërisht ishte Burkina Faso, kundërshtari i sotëm i Kosovës që vjen me petkun e gjysmëfinalistit të Kupës së fundit afrikane, që më 2 shtator, 2015, vendosi të mos e luajë miqësoren ndaj kombëtares dardane, duke bërë kështu që të dështonte zhvillimi i saj.

Kësisoj, gjatë atij muaji mbetem pa zhvillimin e asnjë miqësoreje ndaj ndonjë kundërshtari, duke dështuar kështu efektivisht grumbullimi ishte thirrur nga përzgjedhësi i atëhershëm, Albert Bunjaki.

Njësoj si kombëtarja në fjalë, ka pasur edhe të tjera, përfshirë edhe nga kontinenti afrikan, që në çastet e fundit kanë ndërruar mendje dhe me një prapakthim të çuditshëm, kanë vendosur para aktit të kryer zyrtarët e federatës, duke i anuluar miqësoret.

Kosova e para në ballkan me më së shumti miqësore ndaj kombëtareve afrikane


Dardanët e kanë gjetur te kombëtaret e kontinentit afrikan rehatinë për t'i negociuar zhvillimet e ndeshjeve miqësore. Nëse llogarisim thjesht miqësoret e luajtura nga 5 marsi, 2014, duke përfshirë edhe këtë të sotmen, atëherë del që ato të jenë 23 sosh, ndërsa 8 prej tyre janë aranzhuar ndaj kombëtareve afrikane, që përbën 39% e ndeshjeve testuese të përgjithshme. Shifër relativisht e lartë!

Ta zëmë, deri më tani Kosova nuk ka arritur ta luajë asnjë ndeshje të këtij niveli ndaj kombëtareve të shteteve nga Amerika jugore. Në vijë të përgjithshme gjysma janë luajtur me kundërshtarë nga Evropa dhe Afrika, ndërsa pjesa tjetër e mbetur me ata nga Azia dhe Amerika Qendrore.

Mirëpo, nëse ndalemi sërish te takimet miqësore ndaj ekipeve kombëtare nga kontinenti i tretë më i madh, atëherë nuk është paragjykim të thuhet që shumica e ndeshjeve ndaj kombëtareve afrikane ishin në plan të dytë, në mungesë të finalizimit të marrëveshjeve me kombëtaret e kontinenteve tjera, respektivisht nga ato evropiane. Si në rastin e fundit, ishin Izraeli dhe Franca në përparësi, por në fund Burkina Faso ishte dera e fundit për të trokitur dhe ajo u hap. Kësisoj, edhe do ta luajmë miqësoren e dytë ndaj tyre, pasi atë të parën e luanim në epokën e Bernard Challandes, ku e fitonim në Francoville të Francës me rezultat 2 me 0, me golat e Leart Paqaradës (njëherit i fundit i realizuar me fanellën e Kosovës - gol që shënohej nga goditja e dënimit) dhe Vedat Muriqit.

Statistikat në nivel ballkanik

Kombëtaret tjera ballkanike kanë dukshëm më pak ndeshje të zhvilluara ndaj kombëtareve afrikane. Ato në të shumtën e rasteve u kanë dhënë prioritet kombëtareve evropiane dhe amerikano jugore. Nëse Kosova, duke llogaritur edhe ndeshjen e sotme, ka bilancin me 39% ndeshje miqësore ndaj kombëtareve nga kontinenti afrikan, në ballkan te kombëtaret respektive situata është më ndryshe. Duke i krahasuar nga e njëjta datë, thënë saktësisht nga 5 marsi, 2014, statistikat flasin kështu:

- Kosova, 23 miqësore, 8 ndaj kombëtareve afrikane - 39%

- Kroacia, 22 miqesore, 1 ndaj kombëtareve afrikane - 13.6%

- Bosnia, 24 miqësore, 3 ndaj kombëtareve afrikane - 12.50%
- Greqia, 25 miqësore, 2 ndaj kombëtareve afrikane - 8%
- Serbia, 31 miqësore, 2 ndaj kombëtareve afrikane - 6.45%

- Mali i Zi, 20 miqësore, 1 ndaj kombëtareve afrikane - 5%
- Shqipëria, 25 miqësore, 1 ndaj kombëtareve afrikane - 4%

- Bullgaria, 19 miqësore, asnjë (0) ndaj kombëtareve afrikane - 0%

Lajme të ngjashme