Përfundon sezoni i rregullt në NBA, mësohet se kush me kë do të përballet në play-off - NACIONALE

Përfundon sezoni i rregullt në NBA, mësohet se kush me kë do të përballet në play-off

4 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Liga më e fortë në botë e basketbollit, NBA, e ka përfunduar sezonin e rregullt duke i hapur rrugë ndeshjeve mjaftë të nxehta në play-off, të cilat japin gjithmonë një emocion të veçantë.

Për t’i paraprirë play-offit, së pari zhvillohet turneu i play-in ku do të përballen gjithsejti tetë skuadra, katër skuadra nga konferenca perëndimore dhe katër nga konferenca lindore.

Nga konferenca perëndimore do të përballen: Minnesota Timberwolves (pozita e shtatë) me Los Angeles Clippers (pozita e tetë) dhe New Orleans Pelicans (pozita e nëntë) me San Antonio Spurs (pozita e 10-të).

Ndërsa në konferencën lindore përballen: Brooklyn Nets (pozita e shtatë) me Cleveland Cavaliers (pozita e tetë) dhe Atlanta Hawks (pozita e nëntë) me Charlotte Hornets(pozita e 10-të).

Fituesi ndërmjet pozitave shtatë dhe tetë do të llogaritet si vendi i shtatë në tabelë dhe përballet në play-off me vendin e dytë, ndërsa humbësi ndeshet me fituesin ndërmjet pozitave nëntë dhe 10-të për të marrë pozitën e tetë në tabelë e për t’u ndeshur në play-off me vendin e parë.

Turneu i play-in fillon më 12 prill dhe përfundon më 15 prill.

Menjëherë më 17 prill starton play-offi, dhe ndeshjet të cilat do të luhen janë:

Konferenca perëndimore: Phoenix Suns vs Pozita e tetë; Dallas Mavericks vs Utah Jazz; Golden State Warriors vs Denver Nuggets dhe Memphis Grizzlies vs Pozita e shtatë.

Konferenca lindore: Miami Heat vs Pozita e tetë; Philadelphia 76ers vs Toronto Raptors; Milwaukee Bucks vs Chicago Bulls dhe Boston Celtics vs Pozita e shtatë.

Lajmi i keq për tifozët e shumtë të basketbollit është përballja ndërmjet Milwaukee Bucks dhe Brooklyn Nets, e cila pritet të zhvillohet në gjysmëfinale dhe jo në finale, kur dihet se këto dy skuadra janë favoritët kryesorë sivjet.

Favoritët kryesor janë: Phoenix Suns si finaliste e vitit të kaluar dhe me rekordin më të mirë në ligë në këtë vit; Golden State Warriors me rikthimin e Klay Thompson, i cili njihet si një nga gjuajtësit më të mirë në ligë duke ia shtuar edhe Stephen Curry si një nga lojtarët më të mirë në ligë; Milwaukee Bucks me një nga skuadrat me të kompletuara sidomos në anën defensive dhe duke pasur dy herë rresht MVP-në e dy viteve të fundit në skuadër, Giannis Antetokounmpo, dhe Brooklyn Nets, e cila nuk është që ka pasur një sezon siç pritej por me Kevin Durant i cili është një nga lojtarët më të mirë në 10 vitet e fundit dhe rikthimin e plotë të magjikut Kyrie Irving gjithçka është e mundur për skuadrën nga New Yorku.

Befasitë në çdo sport janë të mundura dhe një nga skuadrat që mund të befasojë për të mirë është skuadra e Luka Doncic, Dallas Mavericks dhe skuadra e Denver Nuggets nga konferenca perëndimore, ndërsa befasi nga skuadrat e konferencës lindore mund të jenë Philadelphia 76ers dhe Miami Heat.

Të gjitha ndeshjet zhvillohen deri në shtatë ndeshje nëse është nevoja ose cila skuadër arrin katër fitore e para.

Finalja e madhe e sezonit të 76-të të NBA-së do të fillojë më 2 qershor në Amerikë. /Përgatiti Vivianit Gërguri/

Lajme të ngjashme