Për herë të parë në epokën e Guardiolës, Manchester City e pëson humbjen e katërt radhazi
Pep Guardiola shpresonte para ndeshjes që të mos pësonte humbjen e katërt radhazi, por kjo ndodhi. Manchester City ka pësuar humbje 2:1 nga Brighton, në kuadër të javës së 11-të të Premierligës.
"Gjithçka ka një herë të parë", kishte thënë Guardiola para ndeshjes dhe kjo ndodhi. Qytetarët tani kanë pësuar për herë të parë katër humbje me radhë në epokën e trajneri spanjoll.
Kjo periudhë e vështirë i përfshin tri gara. U mposhtën në Kupën Carabao, pësuan humbje turpëruese në Ligë të Kampionëve nga Sporting dhe dy humbje në Premierligë (fillimisht Bournemouth, e tani nga Brighton).
Ndonëse sot ishin në epërsi gjatë pjesës së parë, Brighton arriti ta përmbyste rezultatin në 15 minutat e fundit të takimit.
Erling Haaland shënoi pas një kohe të gjatë, duke i dhënë epërsinë 1:0 Manchester Cityt në minutën e 23-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e takimit.
Pasi e dominuan krejtësisht pjesën e parë, në pjesën e dytë Qytetarët treguan fytyrë krejtësisht tjetër, madje nuk arritën të dërgonin asnjë goditje në portë, ndërsa vendasit ishin shumë më të rrezikshëm.
Përmbysjen e rezultatit e filloi Joao Pedro, i cili shënoi për 1:1 në minutën e 78-të.
⚽️GOAL🏴 | Brighton 1-1 Manchester City | Joao Pedropic.twitter.com/KFnUu7TEWC
— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 9, 2024
Vetëm pesë minuta më vonë, Matt O'Riley, shënoi për fitoren e madhe të Brightonit, me rezultat 2:1.
⚽️GOAL🏴 | Brighton 2-1 Manchester City | Matt O'Rileypic.twitter.com/Nqelkm0v0M
— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 9, 2024
Manchester City për herë të parë në kohën e Guardiolës pëson katër humbje radhazi dhe hera e parë pa fitore në katër ndeshje që nga viti 2016.
Pavarësisht kësaj, Qytetarët vazhdojnë të mbeten në vendin e dytë në Premierligë me 23 pikë, dy më pak se Liverpooli që ka një ndeshje më pak dhe takohet sot më vonë me Aston Villën.
Brighton në anën tjetër kalon përkohësisht në vendin e katërt me 19 pikë të grumbulluara.