Për dallim nga sulmuesi Haaland, Albert Dabiqaj i shënoi sot 5 gola si mesfushor mbrojtës
Derisa Erling Haalandi i la të gjithë gojëhapur me pesë golat që i shënoi mbrëmë për t’i ndihmuar Manchester Cityt ta mposhtë 7:0 RB Leipzigun në Ligën e Kampionëve, dhe me të drejtë, një futbollist kosovar e ka bërë të njëjtën, nëse jo në një garë shumë të fortë si ajo e norvegjezit, patjetër nga një pozitë shumë më e vështirë, në një fushë të renduar nga shiu i madh në Mitrovicë.
Albert Dabiqaj, një futbollist 26-vjeçar nga Deçani, i shënoi pesë gola për t’i ndihmuar Gjilanit ta mposhtë 5:1 Trepçën ’89 në çerekfinale të mërkurën dhe të kalojnë në mesin e katër ekipeve më të mira në kupën shtetërore.
Kjo është një arritje goxha mbresëlënëse për një mesfushor mbrojtës. Dabiqaj është mesfushor që zakonisht është i vendosur para mbrojtjes me detyra për t’u siguruar që sulmuesit kundërshtarë nuk kalojnë pranë tij.

Dhe ai këtë detyrë e kishte edhe kundër klubit mitrovicas.
Por duke e parë Haalandin një natë më parë në garën më të madhe evropiane për klube, duket se Dabiqaj mori paksa frymëzim për diçka më të jashtëzakonshme.
Dhe ai nuk humbi kohë aspak, pasi e kaloi Gjilanin në epërsi në minutën e 2-të, para se ta dyfishonte epërsinë në minutën e 9-të.
Ai e kompletoi het-trikun shumë herët, në minutën e 34-të, para se skuadrat të shkonin në pushimin mes pjesëve.
Dabiqaj shënoi edhe dy herë në pjesën e dytë, një penallti në minutën e 68-të dhe një gol në minutën e 88-të për një arritje të madhe personale në karrierë.
Pasi e ndihmoi skuadrën kuqebardh të arrijë në mesin e katër ekipeve më të mira, ai do të synojë ta shfrytëzojë këtë paraqitje shpërthyese për ta frymëzuar Gjilanin drejt trofeut të parë të Kupës së Kosovës.
Kundërshtarët e mundshëm të Gjilanit në gjysmëfinale janë kampioni në fuqi Llapi, Prishtina dhe Vushtrria.