Pep Guardiola: Anglishten s’e kam mjaft të mirë për ta përshkruar Erling Haalandin
Pep Guardiola thotë se anglishtja e tij nuk është mjaft e mirë për të vazhduar me përdorimin e sipërorëve për përshkrimin e Erling Haalandit.
Haalandi i shënoi edhe dy gola të tjerë në fitoren e Cityt 3:1 kundër Brightonit të shtunën në Stadiumin Etihad, duke e rritur në 22 numrin e golave të përgjithshëm në 15 ndeshje deri tani këtë sezon.
Përfaqësuesi i Norvegjisë i ka shënuar tashmë 17 gola vetëm në Premierligë – aq sa i kishte shënuar Harry Kane i Tottenhamit në përgjithësi tërë sezonin e kaluar.
“Unë jam katalonas, prandaj anglishtja ime nuk është mjaft e mirë. Statistikat e tij janë të jashtëzakonshme dhe s’mund të ketë dyshime për cilësitë e tij. Ai është shumëkërkues dhe na ndihmoi ta fitojmë ndeshjen”, tha Guardiola.
Pas dy golave të Haalandit, Brightoni u kthye në lojë falë një goli nga Leandro Trossard.
Vizitorët, të cilët e patën topin në zotërim më shumë se City, bënë përpjekje për ta barazuar rezultatin deri në çastin kur Kevin De Bruyne e vulosi triumfin e skuadrës së Guardiolës me një gol të shënuar nga rreth 25 metra largësi.

Pas ndeshjes, Guardiola e lavdëroi golin e De Bruynes, por tha se mesfushori belg ende nuk po luan aq mirë sa ai mundet.
“Ai ende nuk po luan në nivelin e vet më të lart. Ende nuk po e luan futbollin e vet më të mirë, por ai e di këtë, nuk kam përse t’ia them unë. Fola me të. Goli i tij ishte i shkëlqyer”, tha Pep.
Manchester City është tani vetëm dy pikë larg kreut të tabelës së Premierligës, falë dështimit të liderit Arsenal për ta mposhtur Southamptonin, i cili ia ndali serinë e fitoreve skuadrës së Mikel Artetës duke i nxjerrë një barazim 1:1 të dielën.

