Pensionohet në moshën 32 vjeç Bojan Krkic: 'Messi i ri' që kurrë s'e përmbushi potencialin - NACIONALE

Pensionohet në moshën 32 vjeç Bojan Krkic: 'Messi i ri' që kurrë s'e përmbushi potencialin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ylli i Barcelonës Bojan Krkic, që dikur lartësohej si Lionel Messi i ri, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli profesionist në moshën 32-vjeçare.

Bojan diplomoi në akademinë e futbollit të Barcelonës La Masia në vitin 2007 dhe katër vitet pasuese i kaloi në ekipin e parë të Barcelonës, para se të shitej në Romë. Spanjolli luajti për edhe Milanin, Ajaxin, Stoke City, Alavesin dhe Montrealin.

Ai u transferua në Japoni për një sfidë të re në vitin 2021, por u largua nga klubi në janar dhe tani ka vendosur që të pensionohet.

Në një ceremoni të veçantë në “Auditori 1899” në Camp Nou ditën e enjte, Krkic njoftoi tërheqjen e tij në prani të presidentit të Barcelonës Joan Laporta.

Këto vendime nuk janë të lehta. Kam qenë larg shtëpisë për 12 vite dhe ndihem i përmbushur profesionalisht. Dua të shijoj pjesën tjetër të jetës sime afër familjes. Nuk është një problem fizik. Kam pasur tri lëndime por jam shëruar dhe jam 100% në rregull. Është një ndjesi dhe është realiteti. Jam mirënjohës për çdo gjë që kam përjetuar, duke luajtur me Barcelonën dhe me lojtarë shumë të mirë. Kam fituar trofe dhe tani jam i gatshëm që të filloj gjëra të reja”, tha Krkic.

Bojan filloi karrierën e tij me një të ardhme premtuese, duke thyer rekordin e Messit si debutuesi më i ri te Barcelona, por ankthi dhe paniku ndaloi ish-përfaqësuesin e Spanjës që të përmbushë potencialin e tij.

Nuk shkova në Euro 2008 për shkak të panikut, por ne thamë se po shkoja në pushime”, kishte thënë ai në një intervistë për gazetën The Guardian në vitin 2018.

U thirra për ndeshjen e Spanjës ndaj Francës, debutimi im me kombëtaren dhe u tha që kisha gastroenterit (infeksion të zorrës) kur unë kisha ankth dhe panik. Por askush nuk dëshiron të flasë për atë pjesë. Futbolli nuk është i interesuar”, shtoi ai.

“Ankthi dhe paniku i prek njerëzit ndryshe. Me mua ishte marramendje, ndihesha i sëmur vazhdimisht, 24 orë. Ishte një presion në kokë i fuqishëm që nuk largohej kurrë.”

Bojan foli edhe për krahasimin që i bënin me Messin: “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Në termin e futbollit ishte në rregull por jo për mua personalisht. M’u desh të jetoja me atë dhe njerëzit thoshin se karriera ime nuk ishte siç ata prisnin. Kur më panë thanë ‘Messi i ri’. Po por nëse më krahasoni me Messin çfarë karriere prisnit?”

Ish-ylli i Barcelonës u pyet edhe nëse kishte ndonjë këshillë për Ansu Fatin, për rrugën që ai po përshkon të njëjtën sikur ai dhe Messi.

Bojan tha: “Jo vetëm për të por për të gjithë të rinjtë. dijeni çfarë do të thotë të vishni fanellën, janë me mijëra që do të vinin këtu në këmbë për të luajtur. Ka të rinj që tani dëshirojnë të jenë pjesë e ekipit të parë. Ata duhet të kenë qetësi dhe durim.”

Bojan i bëri 163 paraqitje për Barcelonën, duke i shënuar 43 gola. /Orselina Lazraj/

Lajme të ngjashme