Pavarësisht barazimit me Moldavinë, Shqipëria kualifikohet në EURO 2024 - NACIONALE

Pavarësisht barazimit me Moldavinë, Shqipëria kualifikohet në EURO 2024

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Shqipërisë e ka arritur atë që shumë pak e besuan në fillim të ciklit kualifikues. Kuqezinjtë me barazimin 1:1 ndaj Moldavisë, kanë siguruar plasmanin në Kampionatin Evropian 2024, që do të mbahet në Gjermani.

Kuqezinjtë të udhëhequr nga Sylvinho, nuk e nisën në mënyrën më të mirë kampanjën kualifikuese, ku humbën nga Polonia në ndeshjen e parë, por që nga atëherë ata treguan fytyrë krejtësisht tjetër, duke bërë të pamundurën të mundur.

Dominuan mbi Çekinë e Poloninë pastaj, shënuan fitore ndaj Ishujve Faroe, fitore e barazim ndaj Moldavisë, për ta vulosur një cikël kualifikues më të mirë ndonjëherë në histori të tyre, me pikë rekord të grumbulluara.

Sa i përket takimit të sotëm, Shqipëria deri në fund po fitonte, por barazuan, në një ndeshje që e rëndësishme ishte vetëm të mos humbej.

Pjesa e parë u dominua nga kuqezinjtë në posedim të topit, ndonëse raste të rrezikshme në drejtim të portave pati shumë pak, për të mos thënë asnjë.

Po zhvillohej minuta e 25-të, kur Taulant Seferi mori një top në zonën e rrezikshme, aty ku tentoi driblimin, por u ndalua në mënyrë të palejueshme dhe gjyqtari kryesor pa asnjë hezitim akordoi penallti.

Sokol Cikalleshi mori përgjegjësinë që të godasë nga 11 metra, me sulmuesin e Konyaspor që ishte i saktë, për të shënuar për 1:0, në minutën e 26-të.

Pjesa e dytë ishte më e barabartë, me Moldavinë që arriti të krijonte disa raste të rrezikshme, ku Etrit Berisha u tregua i jashtëzakonshëm, për të dalë shumë nga ato.

Por, Moldavia e arriti qëllimin e saj, duke shënuar golin e barazimit krejtësisht në fund me anë të Vladislav Baboglo, që goditi fuqishëm për 1:1.

Ky ishte rezultati përfundimtar i takimit, me Shqipërinë që bëhet vetëm kombëtarja e 11-të që siguron kualifikimin në Evropian dhe kjo një xhiro pa përfunduar cikli kualifikues.

Lajme të ngjashme