Paul Pogba dështon në testin e dopingut, rrezikon suspendim për katër vite
Mesfushori Paul Pogba raportohet se ka rezultuar pozitiv në testosteron gjatë testit të bërë pas përballjes kundër Udineses.
Francezi qëndroi në stol gjatë fitores 3:0 ndaj Udineses, por që ishte një ndër lojtarët të cilëve iu kërkua t’i bëhet testi i dopingut.
Siç raporton agjencia e lajmeve ANSA, rezultatet kanë qenë pozitive meqenëse Pogba ka rezultuar me nivele të larta të testosteronit.
Kësisoj, francezi e ka me patjetër të bëjë edhe një test të dytë në ditët në vijim, që do ta ketë fjalën e fundit ndoshta për karrierën e lojtarit.
Gazeta prestigjioze “Gazzetta dello Sport” raporton se nëse Pogba rezulton sërish pozitiv, atëherë minimum do të suspendohej për katër vitet e ardhshme.
Duke marrë parasysh edhe moshën, atëherë mund të thuhet se karriera e tij si futbollist profesionist mund të përfundojë këtë sezon.
Pogba që kur u kthye te Juventus ende s’e ka dëshmuar veten shkaku i mungesës së madhe në disa ndeshje si pasojë e lëndimeve të shpeshta.
Francezi u rikthye në fitoren 2:0 ndaj Empolit mirëpo që fati sërish s’e përcolli pasi pësoi një lëndim muskulor.