Pasi siguroi kalimin në finalen e Kupës së Botës për klube, Ancelotti tregon se kur do të rikthehet Benzema
Real Madrid mposhti 4:1 Al Ahlyn duke siguruar kështu finalen e Kupës së Botës për klube, të cilën do ta zhvillojë ditën e shtunë kundër Al Hilal.
Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve e kaloi pa ndonjë telashe të madhe pengesën e parë drejt triumfit në Kupën e Botës për klube. “Galaktikët” mposhtën 4:1 Al Ahlyn në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.
Në këtë sfidë nuk ishte i grumbulluar fituesi i Topit të Artë për edicionin e fundit, Karim Benzema. Në konferencë për shtyp pas ndeshjes së sotme rreth më të rejave nga gjendja fizike e tij foli trajneri Carlo Ancelotti.
“Benzema do të rikthehet nesër, së bashku me Militaon. Ndërsa kundër Osasunas i gatshëm do të jetë edhe Courtois”, shpjegoi Ancelotti.

Sulmuesi francez një javë më parë doli nga loja në sfidën kundër Valencias pas një orë lojë, duke u ankuar në dhimbjen që ndiente në gju.
Megjithatë, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore, për fatin e mirë të Real Madridit dhe tifozëve të vet, rezultoi se ai mund të rikthehet i gatshëm për finalen e së shtunës, kur madrilenët do të ndeshen kundër Al Hilal me fillim në ora 20:00.
35-vjeçari francez është në muajt e fundit të kontratës me klubin më të trofeshëm spanjoll. Ancelotti gjatë ditëve të fundit e ka thënë hapur se dëshiron që ta ketë në radhët e veta edhe për vitet në vijim, duke shtuar se legjendat e “Galaktikëve” karrierën u takon ta mbyllin në “Bernabeu”, me ngjyrat e kësaj skuadre.
Benzema gjatë këtij sezoni ka vuajtur nga lëndime të shumta. Ai ka shënuar nëntë (9) gola dhe ka kontribuar po ashtu me tre (asiste) tjera në Laliga në dymbëdhjetë (12) paraqitje të zhvilluara. Ndërsa në të gjitha kupat ka shënuar trembëdhjetë (13) gola në njëzet e një (21) paraqitje.
