Real Madrid kalon në finalen e Kupës së Botës për klube, deklason Al Ahlyn
Kampioni në fuqi e Ligës së Kampionëve, Real Madridi, ka mposhtur 4:1 Al Ahlyn, duke kaluar kështu në finale të Kupës së Botës për klube. Në finale do të luajë kundër Al Hilal.
Real Madridi arriti ta kalojë pengesën e parë drejt kurorëzimit me një tjetër trofe, atë të Kupës së Botës për klube. Në këtë kupë madrilenët arritën ta sigurojnë biletën e finales, pasi mposhtën Al Ahlyn në gjysmëfinale, në sfidën që u zhvillua në qytetin e Rabat.
Epërsinë për skuadrën e drejtuar nga Carlo Ancelotti e siguroi Vinicius Junior. Në minutën e 42-të sulmuesi brazilian përfitoi nga një gabim i çuditshëm i mbrojtjes kundërshtare. Përballë portierit nuk gaboi shënjestër dhe shënoi për 0:1.
Dyfishimi i epërsisë për “Galaktikët” erdhi shumë shpejt. Me të filluar pjesa e dytë, mesfushori uruguaias, Valverde, u gjend më së miri në zonë të rreptësisë, pas një topi të kthyer nga pritja e portierit El Shenaway. Nga një pozitë e volitshme, tundi rrjetën për 0:2.
Al Ahly u përpoq që të rikthehej në lojë thuajse një çerek lojë më vonë. Nga pika e bardhë Maaloul shënoi në minutën e 65-të për ta ngushtuar epërsinë.
Sido që të jetë, ekipi spanjoll gjeti hapësirat e duhura për të shënuar edhe gola të tjerë në këtë ndeshje. Në minutën e 90+2’ doli në skenë një tjetër sulmues brazilian, Rodrygo, i cili finalizoi një aksion të ndërtuar për mrekulli.
Krejt në fund golin e fundit në këtë ndeshje e shënoi Arribas. Sulmuesi 21-vjeçar spanjoll u tregua klinik para portës, duke çuar shifrat në 4:1, që ishte edhe epilogu përfundimtar i kësaj sfide.
Falë kësaj fitore, Real Madridi kaloi në finale të Kupës së Botës për klube, ku do të ndeshet kundër Al Hilal, që mposhti në gjysmëfinalen tjetër Flamengon me rezultat 3:2.
Finalja në fjalë do të zhvillohet të shtunën me fillim në ora 20:00 me kohën tonë lokale. Real Madridi ka fituar plot katër herë trofeun në fjalë, duke qenë skuadra më e trofeshme.
Përmbledhja e ndeshjes Al Ahly - Real Madrid:
