Pasi e futi në xhep Haalandin, Rudigeri e thumbon tërë skuadrën e Man Cityt
Mbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger, ka thënë se Manchester City nuk ishte aspak i rrezikshëm në barazimin 1:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi e ndali plotësisht Erling Haalandin.
Vinicius Junior e kaloi Realin në epërsi kah fundi i pjesës së parë, pavarësisht një mbizotërimi të plotë nga vizitorët në Bernabeu të martën.
Por Kevin de Bruyne e barazoi rezultatin në 1:1 në pjesën e dytë me një goditje mahnitëse nga largësia, për t’i lënë gjërat plotësisht të paqarta për ndeshjen e kthimit në Etihad pas një jave.
Megjithatë, sulmuesi kryesor i Cityt Haalandi e kishte një natë tejet të qetë, pasi nuk mundi t’i bënte më shumë se 21 prekje topi, tetë më pak se portieri Ederson, pasi Rudiger u përkujdes ta ruajë me përkushtim përgjatë 90 minutave.

“Ne e shënuam golin pakëz me vonesë, prandaj ndiejmë se kemi mundur të shënonim më shumë. Por nuk është telash. Ndeshja nuk ka përfunduar dhe mund të shkojmë në Mançester me vetëbesim”, tha Rudiger për beIN Sports.
Ai shtoi: “Në fund të fundit, ata nuk ishin të rrezikshëm. Ata e mbajtën topin, ne e dinim se kjo do të ndodhte.. por më e rëndësishmja është se ata nuk ishin të rrezikshëm. Natyrisht, goli i tyre ishte cilësi e De Bruynes”.
I pyetur nëse gjiganti spanjoll beson se mund të fitojë në ndeshjen e kthimit në Angli, Rudiger shtoi: “Ne jemi Real Madridi. Ne kemi vetëbesim gjithmonë”.