Pas tri humbjeve radhazi, Drenica shkarkon trajnerin Bekim Shotani
Klubi nga Komuna e Skenderajt, Drenica, nuk po kalon nëpër formë të mirë në këtë rifillim të sezonit, ku në tri ndeshjet e zhvilluara ata kanë humbur të gjitha ndeshjet, duke bërë kështu që drejtuesit të marrin masa dhe ta shkarkojnë kryetrajnerin, Bekim Shotanin.
Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi me anë të një postimi në rrjetin social në Facebook, ku është thënë se ky vendim ka ardhur me pajtim të ndërsjellët, teksa ata kanë falënderuar trajnerin për angazhimin e deritanishëm me klubin, duke i uruar suksese në vazhdim.
Postimi i KF Drenicës pa ndërprerje:
Klubi ndanë rrugët me trajnerin Bekim Shotani!
Pas disfatës së sotme, ndaj SC Gjilanit në kuadër të xhiros 21-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, klubi dhe trajneri kanë vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Falënderojmë trajnerin Bekim Shotani për punën dhe angazhimin e deri tanishëm, duke i uruar suksese në vazhdim!
Për Shotanin kjo nuk ishte eksperienca e parë në klubin e Drenicës, pasi më parë kishte qenë në këtë pozitë, kur ishte emëruar në vitin 2017, ndërsa eksperienca e dytë nuk zgjati as një vit të plotë, pasi si trajner u emërua më 13 gusht të vitit 2022.
Drenicasit ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion se kush do ta zëvendësojë Shotanin në pozitën e trajnerit, por kushdo që vjen në këtë pozitë do ta ketë mjaft të vështirë, pasi Drenica gjendet në vendin e nëntë, me vetëm dy pikë dallim nga vendi i fundit që mbahet nga Ferizaj.

