Vendimi amator dhe i kundërligjshëm i FFK-së për rastin Drenica – Llapi - NACIONALE

Vendimi amator dhe i kundërligjshëm i FFK-së për rastin Drenica – Llapi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) po vazhdon të tregohet e papërgjegjshme në vendimet e veta. I fundit, ai për rastin Drenica - Llapi, në lidhje me regjistrimin e njërit prej futbollistëve të transferuar së fundmi. Taulant Dajaku, ish-drejtori sportiv i Drenicës, reagoi ashpër me këtë vendim.

Drenica u ankua në Komisionin përkatës pranë FFK-së për ndeshjen e fundit që e zhvilloi kundër Llapit. Ankesa e saj u hodh poshtë nga shtëpia e futbollit të Kosovës, por arsyet që u dhanë lanë shumë për të dëshiruar dhe janë demonstrimi i radhës për shkeljet e vazhdueshme që po ndërmirren e disa të tjera që po tejkalohen.

Ish-drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, ka reaguar në profilin e tij në "Facebook" ndaj një shpjegimi kontrovers të FFK-së në lidhje me regjistrimin e njërit prej lojtarëve të Llapit.

Fjala është për Alex Raoul, për të cilin në një fragment të vetëm FFK thotë se është lojtar i Llapit, por në anën tjetër e pranon se ai nuk e ka përfunduar procesin e regjistrimit.

“Komisioni i Sallamadistanit konstaton se lojtari u regjistrua veç pak. Do të thotë, u regjistrua veç gjysmë konstatimi erdhi në të njëjtën mbledhje që u mor ankesa. Do të thotë, pa iu dashur kohë administrimi dhe adresimi të çështjes dhe kërkim të fakteve krejt gjërat u konstatuan dhe u nxor vendimi që duket edhe nga mënyra e shkrimit (shih zonen e hijezuar)”, shkroi Dajaku, duke postuar edhe këtë fotografi të ilustruar më poshtë.

Ankesa e Drenicës në drejtim të Komisionit të Garave ishte pikërisht në saje të asaj që Llapi ka regjistruar më shumë futbollistë sesa që e lejon norma. Pra, më shumë sesa gjashtë futbollistë. Përveç kësaj ankesa kishte të bënte edhe me gjyqtarin kryesor, Genc Nuza, që sipas skuadrës drenicase akordoi një penallti të paqenë.

Komisioni i Garave në FFK e rrëzoi poshtë këtë ankesë dhe e regjistroi si fitore të rregullt prej 1:0 atë që e arriti në stadiumin e Lipjanit gjatë fundjavës që lëmë pas skuadra e Llapit.

Lajme të ngjashme