Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Ballkani sot e nis rrugëtimin drejt kualifikimit në Ligë të Konferencës
Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot e nis rrugëtimin për kualifikim në Ligë të Konferencës, ku përballet me skuadrën nga Malta, Hamrun Spartans, me ndeshjen e parë që zhvillohet në Podujevë, në stadiumin Zahir Pajaziti.
Ballkani u eliminua nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi pësoi humbjen e parë si vendas në tri vite në kualifikimet për gara evropiane, me Santa Colomën e Andorrës që kaloi tutje vetëm pas penalltive.
Xhebrailat në dy sezonet që mori pjesë në kualifikime si kampion i Kosovës, arriti deri në grupe të Ligës së Konferencës dhe të njëjtën gjë kërkon edhe kësaj radhe, pasi ëndrra për një vend në Ligë të Kampionëve ose Ligë të Evropës u shua javën e kaluar.
Kundërshtari i sotëm i Ballkanit, ishte kampion i Maltës në dy sezonet e fundit dhe arriti këtu pasi ashtu si kampioni i Kosovës, pësoi humbje në kualifikimet për Ligë të Kampionëve në penallti nga Lincoln Red Imps.
Përballja e sotme zhvillohet në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë me fillim nga ora 18:00, me Ballkanin që cilësohet favoriti për të triumfuar në të dy përballjet.
Përmes një komunikate zyrtare, Ballkani kërkoi mbështetjen e tifozëve për t’iu ndihmuar të shënojnë fitore për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjyqatarët e kësaj ndeshje janë nga Austria. Kryesori është Walter Altmann, që ndihmohet nga Witschnigg dhe Hartl, ndërsa i katërt është Florian Jager.