Paris Saint-Germain e mposht Milanin me rezultat komod, fitojnë edhe Manchester City e Dortmund
Ka përfunduar edhe xhiroja e tretë e Ligës së Kampionëve, me gjashtë ndeshje që ishin në orar prej orës 21:00. Paris Saint-Germain e ka mposhtur Milanin 3:0, ndërsa fitore në këtë grup ka arritur edhe Borussia Dortmund ndaj Newcastle United, në anën tjetër Manchester City ka fituar ndaj Young Boys 3:1.
PSG – Milan
Edhe pse nuk e nisën në mënyrën më të mirë pjesën e parë, Paris Saint-Germain ka arritur të marrë fitore shumë të vlefshme në grupin F.
Në një nga rastet e rralla deri në ato minuta, PSG kaloi në epërsi me anë të Kylian Mbappe në minutën e 32-të, kur shënoi gol shumë të bukur për 1:0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë kampioni francez u këndell paksa dhe dhuruan paraqitje të mirë, duke krijuar disa raste, me Mike Maignan që mbajti Milanin disa herë në lojë me pritjet e tij.
Skuadra e Luis Enriques shënoi edhe dy gola në këtë takim. Fillimisht shënues ishte Randal Kolo Muani, nga një top i kthyer pas pritjes së Maignan, për 2:0, në minutën e 53-të.
Kang-In shënoi golin për rezultatin përfundimtar të takimit 3:0 në minutën e 89-të.
Me këtë rezultat përfundoi takimi dhe PSG tani do ta kryesojë grupin F, ndërsa Milani gjendet në vendin e fundit, pasi Dortmund shënoi fitore ndaj Newcastle United 1:0.
Manchester City – Young Boys
Kampioni i Evropës në fuqi, Manchester City, ka shënuar fitore 3:1 ndaj Young Boys.
Skuadra e Pep Guardiolës ishte e pandalshme në krijimin e shumë aksioneve, por fitorja u sigurua vetëm në minutat e fundit të takimit.
Të katër golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë, pasi 45 minutat e para mbaruan 0:0.
Ishte Manuel Akanji që shënoi fillimisht nga afërsia në minutën e 48-të për 1:0, pas një topi të kthyer nga shtylla.
Katër minuta më vonë Young Boys barazoi rezultatin kur Echik Elia shënoi gol të jashtëzakonshëm për 1:1.
Për fitoren e Manchester Cityt u kujdes një lojtar si gjithmonë. Pra Erling Haaland.
Sulmuesi norvegjez ktheu epërsinë në minutën e 67-të kur penalltinë e konvertoi në gol për 2:1.
Për rezultatin final Haaland shënoi në minutën e 86-të, kur bëri një veprim të bukur me topin në këmbë, për të shënuar edhe më bukur në këndin e epërm të portierit.
Ndeshja tjetër e këtij grupi ishte ajo mes Leipzig e Red Star Belgrade, ku skuadra gjermane e sakatoi atë serbe me rezultat 3:1.
Manchester City kryeson në grup me pikë të plota nga tri ndeshje, ndërsa Leipzig tri pikë më pak, me vetëm një humbje.
Ndeshjet tjera të mbrëmjes
Celtic barazoi 2:2 me Atletico Madrid, me skuadrën spanjolle që mbetet në vendin e dytë në grupin E, që kryesohet nga Feyenoord.
Në grupin H, Porto e mposhti me rezultat të thellë Royan Antwerp 4:1. Ky grup kryesohet nga Barcelona që fitoi më herët edhe ndeshjen e tretë, ndërsa skuadra portugeze gjendet në vendin e dytë.
