Paraqitja solide me një lojtar më pak nuk mjafton, Gjilani eliminohet nga Liga e Konferencës - NACIONALE

Paraqitja solide me një lojtar më pak nuk mjafton, Gjilani eliminohet nga Liga e Konferencës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjilani është bërë skuadra e parë kosovare që është eliminuar nga garat evropiane këtë edicion.

Skuadra e Klodian Duros pësoi humbje në shtëpi me rezultat 0:2, derisa rezultati i përgjithshëm doli të jetë 2:4 në të mirë të Niedercornit nga Luksemburgu.

“Skifterët” zhvilluan paraqitje fantastike duke marrë parasysh se ishin me një lojtar më pak që nga minuta e 14-të.

Mbrojtësi Egzon Sinani bëri një gabim trashanik me një ndërhyrje të panevojshme si lojtar i fundit, me arbitrin që e nuk e fali duke e ndëshkuar direkt me karton të kuq.

Edhe pse me një lojtar më pak, vendasit dominuan plotësisht në pjesën e parë duke pasur edhe dy raste shënimi por që iu mungoi finalizimi.

Sidoqoftë, ishte Niedercorn që arriti të kualifikohet tute falë golit të Mazure-Hanus që pas një asistimi të Mixturit, dribloi mbrojtësin e Gjilanit dhe shënoi lehtësisht përballë portierit vendas (65’).

Pas këtij goli, mysafirët “parkuan autobusin” duke mos lejuar Gjilanin të rrezikojë në minutat e mbetur për ta siguruar ‘biletën’ për në rrethin e dytë kualifikues.

Derisa Gjilani po sulmonte, Niedercorn krijoi një tjetër kundërbzritje të shpejtë me Walid Jarmouni që vulosi fitoren (90+1').

Kësisoj, njësoi si edicionin e kaluar Gjilani nuk arrin të shkojë më shumë se raundi i parë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Ndërkohë, tre skuadrat e tjera Ballkani, Drita dhe Dukagjini do t’i vazhdojnë garat në këtë kompeticion.

Lajme të ngjashme