“Paqe” në “Old Trafford”, United e Chelsea ndajnë pikët
Është mbyllur pa fitues derbi anglez ndërmjet Manchester Unitedit dhe Chelseas, në kuadër të xhiros së 10-të në Premierligë.
Pavarësisht rasteve të shumta, epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1:1.
Chelsea ishte më e rrezikshme në minutat e parë, ku kishte dy mundësi të mira shënimi përmes Madueke e Colwill, por asnjëri s’arritën t’i finalizonin falë pritjeve të Andre Onanas.
Në pjesën e dytë, portieri Robert Sanchez bëri një ndërhyrje të panevojshme brenda zonës, ku Unitedi fitoi penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm doli të jetë kapiteni Bruno Fernandes, i cili i dha epërsinë Unitedit (70’).
Sidoqoftë, gëzimi i vendasve zgjati vetëm katër minuta. Moises Caicedo me një supergol nga distanca e barazoi rezultatin (74’).
Vetëm dy minuta më vonë, Chelsea lehtësisht mund ta përmbyste epërsinë por që Enzo Fernandez disi dështoi nga afërsia duke goditur traversën.
Kësisoj, Chelsea merr pozitën e katërt me 18 pikë, ndërsa Man Unitedi renditet në pozitën e 13-të me 12 sosh.