Paqarada afër rikuperimit nga lëndimi, por do të mungojë edhe në këtë fundjavë
Leart Paqarada u lëndua një ditë para se të niste grumbullimi i Kosovës, duke bërë që të mos ishte gati për dy ndeshjet e shtatorit që luajtën “dardanët”. Mbrojtësi kosovar do të jetë jashtë fushës së blertë edhe në këtë fundjavë.
Mbrojtësit të majtë kosovar, Leart Paqarada, iu pamundësua që të ishte pjesë e Kosovës në ndeshjet kundër Irlandës Veriore dhe Qipros dhe i njëjti fat e pret edhe në fundjavë në ndeshjen kampionale.
Trajneri Timo Schultz tregoi në konferencë për shtyp se faza e rikuperimit nga lëndimi po vijon për Paqaradën.
Lajmi i mirë është se nuk bëhet fjalë për një lëndim të rëndë. Ai ishte protagonist absolut në këtë një-vjeçar e gjysmë për St. Paulin, duke luajtur rregullisht dhe – për më tepër – pa qenë viktimë e lëndimeve.
Së shpejti rikthimi në skuadër
Nga ajo seç u mësua nga deklarata e trajnerit Schultz në prag të ndeshjes shtëpiake kundër Heidenheim, Leart Paqarada do të marrë pjesë së shpejti në stërvitjet e plota.
“Leart Paqarada ka filluar të vrapojë sërish. Së shpejti do të jetë pjesë e stërvitjeve me top”, tha ai.
Për fatin e keq të skuadrës nga Hamburgu, në ndeshjen në vijim në kampionat do të mungojnë të dy kapitenët, përfshirë mbrojtësin kosovar.
Lëndimi i Paqaradës ishte muskulor dhe ai u shkaktua në pjesë të dytë ndaj Regensburgut në udhëtim, sfidë të cilën St. Pauli e humbi me rezultat 2:0.
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës ishte në shënjestër të disa klubeve gjatë afatit kalimtar veror, por në fund vendosi që të qëndrojë te St. Pauli, pasi edhe ia besoi shiritin e kapitenit.
Veçmas në sezonin paraprak Paqarada shkëlqeu, duke u vlerësuar edhe në mesin e mbrojtësve më të mirë në Bundesligën 2.
Mbrojtësi 27-vjeçar shënoi 2 gola dhe regjistroi 10 asiste në 33 paraqitje në sezonin 2021/2022. Ai ishte edhe sezoni më i mirë i tij.
Në këtë fillim sezoni ende nuk ka qenë në lartësinë e sezonit të shkuar, edhe pse statistikat i ka në anën e tij, pasi ka regjistruar 4 asiste dhe 1 gol në 9 ndeshje në divizionin e dytë gjerman.
Në këtë edicion futbollistik, ndryshe nga ai i mëhershmi, Leart Paqarada do ta ketë akoma më të vështirë që të ngjitet në Bundesliga 1, pasi skuadra ka pësuar disa ndryshime, me shumë titullarë që ishin më herët, të cilët gjatë afatit kalimtar veror kaluan në kampionate dhe klube tjera.

