Lëndohet Leart Paqarada, rrezikon të mungojë për ndeshjet e shtatorit te Kosova - NACIONALE

Lëndohet Leart Paqarada, rrezikon të mungojë për ndeshjet e shtatorit te Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtares së Kosovës mund t'i shtohet një tjetër problem, pasi mbrojtësi i krahut Leart Paqarada ka pësuar lëndim në humbjen e St.Paulit kundër Regensburg.

Paqarada mori ftesë nga përzgjedhësi Alain Giresse për herë të parë për një kohë të gjatë pasi 'braktisi' Kosovën shkaku që përzgjedhësi Bernard Challandes nuk i dha minutazhë.

Sidoqoftë, kjo ftesë mund të mos realizohet këtë muaj shkaku i lëndimit që pësoi të dielën në humbjen ndaj Regensburg.

Kosovari si gjithmonë ishte nga minuta e parë te Pauli, por që u detyrua të largohet nga fusha në minutën e 62-të të ndeshjes, ku u zëvendësua nga Ritzka.

Klubi gjerman përmes një postimi në "Twitter" shkroi se Paqarada, i cili kishte edhe shiritin e kapitenit, ka marrë një goditje, duke mos dhënë më shumë detaje.

"Paqarada duket se ka marrë një goditje dhe është zëvendësuar nga Lars Ritzka", shkruhet në komunikatë.

Një tjetër futbollistë në formë që mungon te Kosova?

Gjatës ditës së shtunë, Gazeta Nacionale raportoi ekskluzivisht për lëndimin që pësoi Mërgim Vojvoda në stërvitje, që padyshim ishte lojtari më në formë i tërë listës së Alain Giresses, por ende nuk dihet a do të jetë në gjendje t’iu bashkohet “Dardanëve”.

E tani kësaj liste mund t’i shtohet edhe mbrojtësi tjetër i krahut Leart Paqarada, ku në orët e ardhshme do të jepen disa informata më të detajuara.

Paqarada që një kohë të gjatë nuk erdhi te Kosova pasi kishte deklaruar që nuk do të vinte për sa kohë të ishte në krye Challandes.

Tekniku zviceran nuk ishte treguar shumë korrekt me Paqaradën, i cili ndoshta mori një vendim të shpejtuar pasi nuk zhvilloi minuta. Pas shkarkimit të Challandes, Alain Giresse nuk e ftoi atë për ndeshjet miqësore të marsit, apo edhe ndeshjet zyrtare të qershorit.

Sidoqoftë, këtë javë emri i tij rezultoi të jetë në listën e të ftuarve. Kujtojmë, se përpos këtyre dyve një tjetër lojtar që rrezikon të mungojë është edhe prurja e re Shkëlqim Vlladi, i cili vetëm dy minuta pasi u inkuadrua në ndeshjen e sotme të Aaruas doli nga fusha.

Kësisoj, nëse lojtarët nuk arrijnë të shërohen me kohë, nuk do të ishte çudi një ndryshim në listë, me ftesa për Armend Thaqin shembull i cili po shkëlqen te Ballkani dhe Mirlind Dakun që dje realizoi dygolësh për Muran.

Për fund, kujtojmë se Kosova do të zhvillojë dy ndeshje zyrtare këtë muaj, atë ndaj Irlandës Veriore e pastaj e pret Qipron në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme