Pamje: Ylli i Arsenalit e godet me top një tifoz që po e shikonte lojën nga dritarja e banesës - NACIONALE

Pamje: Ylli i Arsenalit e godet me top një tifoz që po e shikonte lojën nga dritarja e banesës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bukayo Saka ia ka futur frikën në palcë një tifozi lokal gjatë triumfit të Arsenalit kundër Bodo/Glimt në Ligën e Evropës, duke e goditur me top në kokë në dritaren e banesës së tij, pas një gjuajtjeje tmerrësisht të dobët.

Megjithatë, kontributi i përfaqësuesit të Anglisë ishte vendimtar për topçinjtë në ndeshjen në Norvegji, sepse goli i tij i vetëm e bëri dallimin.

Goli i Sakas i mjaftoi Arsenalit për të vazhduar rekordin e fitoreve në fazën grupore në Ligën e Evropës këtë sezon. Topçinjtë janë buzë kalimit në mesin e 16 më të mirëve në garën evropiane.

Aq sa për golin e tri pikëve, Saka mori vëmendje të madhe edhe për një gjuajtje për të cilën nuk mund të jetë aspak krenar.

Saka ishte lënë i vetëm nga mbrojtja vendase në zonë norvegjeze dhe kishte mundësi të artë shënimi nga rreth gjashtë metra largësi, por goditja e tij me këmbën e djathtë, që nuk është e preferuara e tij, jo që nuk përfundoi në portë apo pranë saj, por fluturoi aq lart saqë e gjeti një tifoz që po e shikonte ndeshjen nga dritarja e banesës së vet mbrapa portës.

Tifozi në fjalë u duk i shastisur pasi goditja e Sakas e zuri në befasi.

Arsenali, i cili është lider i Premierligës, do të rikthehet në aksion këtë të diele me ndeshjen e ligës kundër Leeds Unitedit në udhëtim.

Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që Saka ia dhuron fitoren Arsenalit, pas golit nga penalltia në derbin kundër Liverpoolit pesë ditë më parë në Premierligë.

“Të fitoj ndeshje është gjëja më e rëndësishme për mua. Unë jam ithtar i madh i të qenit lojtar ekipor. Unë largohem nga fusha i lumtur kur fitojmë”, tha Saka pas ndeshjes në Norvegji.

Lajme të ngjashme