KATAR 2022 | Samuel Eto’o e shkelmon brutalisht në fytyrë një person pranë një stadiumi në Katar - NACIONALE

KATAR 2022 | Samuel Eto’o e shkelmon brutalisht në fytyrë një person pranë një stadiumi në Katar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Legjenda e futbollit dhe presidenti i tanishëm i Federatës së Futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o, është filmuar duke e sulmuar brutalisht një njeri pranë një stadiumi në Kupën e Botës në Katar.

Në video, e cila ka bërë xhiron e botës, ish-ylli i Barcelonës dhe Interit shihet duke e shkelmuar në fytyrë një burrë i cili po e xhironte pranë Stadiumit 974 në Doha, pas ndeshjes mes Brazilit dhe Koresë Jugore në 1/8 e finales.

Fillimisht, Eto’o dukej i lumtur që po fotografohej me tifozët që e kishin pritur jashtë, derisa ai po largohej nga stadiumi, para se një burrë me kamerë t’i afrohej nga ana e djathtë.

Eto’o dhe burri në fjalë shihen duke shkëmbyer fjalë, para se ky i pari t’i vërsulet atij dhe ta shkelmojë në fytyrë.

Nuk është e qartë se çfarë ishte thënë për ta zemëruar Eto’on – i cili po qëndron në Katar në rolin e tij si ambasador për Kupën e Botës 2022 – por reagimi i tij është tejet i ashpër dhe brutal.

Ish-përfaqësuesin e Kamerunit u munduan ta ndalin katër persona, të cilët e mbanin derisa ai po mundohej ta sulmonte burrin me kamerë.

I pyetur nga La Opinion se çfarë kishte ndodhur, Eto’o tha se “ai ishte i çmendur”, para se sigurimi ta shoqëronte jashtë zonës së stadiumit.

Eto’o u pensionua nga futbolli në vitin 2019, pas një qëndrimi të shkurtër te Qatar SC. në Katar.

Ai njihet më së miri për kohën e kaluar në Barcelonë, Inter dhe Chelsea, pasi kishte dalë nga akademia e Real Madridit në vitin 1997.

Lajme të ngjashme