Pamje: Ronaldo la shumë për të dëshiruar në debutimin e tij në kampionatin saudit - NACIONALE

Pamje: Ronaldo la shumë për të dëshiruar në debutimin e tij në kampionatin saudit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cristiano Ronaldo mund të ndihet i lumtur që Al Nassr arriti t’i fitojë tri pikë në ndeshjen e tij debutuese në kampionatin e Arabisë Saudite, por jo edhe për paraqitjen e vet individuale.

Përveç se nuk arriti të shënojë gol, sulmuesi portugez dështoi të lërë mbresa në debutimin e tij për Al Nassr në fitoren 1:0 kundër Al-Ettifaq të dielën.

Anderson Talisca e shënoi golin e fitores për Al Nassr dhe pavarësisht se nuk arriti të lërë mbresa në debutimin e tij, Ronaldo ishte i kënaqur me rezultatin e ndeshjes.

Pas ndeshjes, 38-vjeçari shkroi në Twitter: “Ndeshja e parë, fitorja e parë. Ju lumtë, djem! Faleminderit të gjithë tifozëve për përkrahjen e jashtëzakonshme”.

Ronaldo i bëri disa tentime në portë, por të gjitha goditjet e tij përfunduan shumë larg portës së Al-Ettifaqit.

Sulmuesi 38-vjeçar humbi po ashtu shumë topa në përpjekje për t’i dribluar kundërshtarët.

Ronaldo ishte ndër lojtarët e Al Nassr e vlerësuar me notën më të dobët në këtë ndeshje, 6.4, ndërsa braziliani Talisca ishte lojtari i ndeshjes.

Kjo ishte paraqitja e parë e Ronaldos për klubin saudit në një ndeshje garuese, pasi ai kishte debutuar fillimisht në një ndeshje miqësore për ekipin e kombinuar mes Al Nassr dhe Al Hilal kundër Paris Saint-Germainit javën e kaluar.

Në atë ndeshje, Ronaldo shënoi dy gola, por skuadra e tij humbi 5:4 kundër gjigantit francez.

Ronaldo pritet të luajë titullar për Al Nassr në ndeshjen e radhës kundër Al Ittihad, një gjysmëfinale e Superkupës së Arabisë Saudite të enjten.

Ronaldo iu bashkua Al Nassrit në dhjetor si lojtar i lirë, pasi u largua nga Manchester Unitedi duke e shkëputur kontratën me pëlqim dypalësh.

Ai nënshkroi marrëveshje deri në vitin 2025 me klubin saudit, e cila e bën atë futbollistin më të paguar në botë me 200 milionë euro në vit.

Lajme të ngjashme