Pamje: Përleshje mes tifozëve të Nice dhe Koln, shtyhet fillimi i ndeshjes për një orë - NACIONALE

Pamje: Përleshje mes tifozëve të Nice dhe Koln, shtyhet fillimi i ndeshjes për një orë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndeshja mes Nice dhe Koln ishte e paraparë të niste në orarin e rregullt, 18:45, por kështu nuk ndodhi, sepse incidentet mes dy tifozërive bënë që të shtyhej ndeshja për në ora 19:40.

Dhuna në futbollin ndërkombëtar rikthehet. Kësaj radhe protagonistë janë tifozët e Nice dhe Koln, të cilët nuk ishin aspak miqësorë njëri me tjetrin kur u futën në shkallët e stadiumit.

Sipas agjencive të lajmeve franceze, të parët që provokuan ishin tifozët gjermanë, të cilët kaluan pengesat e sektorit të tribunave ku ishin vendosur, për t'u ballafaquar me tifozët e Nice.

Këtu lindi e gjithë zanafilla e problemit, ku bëri që edhe të ndërhynin forcat e rendit. Gjuajtja e gjësendeve dhe e mjeteve piroteknike vazhdoi për disa minuta.

Gjithçka që dimë deri më tani

Viteve të fundit huliganizmi është rishfaqur sporadikisht si në Francë, ashtu edhe në Gjermani. Veçmas në këto nivele të ndeshjeve, ku tifozëritë që udhëtojnë jashtë vendeve përkatëse, shpesh dijnë të jenë problematike, duke u shkaktuar mjaft telashe organizatorëve të ndeshjeve.

Tifozët e Koln kanë udhëtuar në një numër mjaft të madh në drejtim të Francës. Janë 8000 veta që janë pajisur me biletë, për ta parë skuadrën e tyre nga afër.

Mediet franceze raportojnë se edhe mbërritja deri në stadium për gjermanët ka qenë mjaft e ndërlikuar, ngase në Nice ishin gjendur të papërgatitur për këtë numër tifozësh. Kësisoj, të shumtë ishin ata që hasën në probleme qenjësore, si ai i sigurimit të një tramvaji apo mjeti tjetër transportues deri në stadium.

Këto telashe duket se i kanë acaruar edhe më shumë tifozët gjermanë, të cilët indinjatën e tyre e shfaqën në stadium, me dhunë dhe me forma tjera jo të rregullta, e që shpërfaqën një lloj revolte para fillimit të ndeshjes.

Deri në një kumtesë të radhës, ndeshja është vendosur që të luhet në orën 19:40. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe vonesa tjera, ani se tashmë raportohet se situata është rikthyer në binarët e duhur.

Kujtojmë se Nice dhe Koln gjenden në grupin D të Ligës së Konferencës, së bashku me Partizanin e Beogradit dhe Slovacko. Pra, sfida e tyre direkte është një lloj derbi për këtë grup, pasi të dyjat llogaritën si favorite për të kaluar në fazën e radhës.

Për fund, akoma nuk ka ndonjë raport policor të detajuar, ku do të mund të konstatohet me shifra të sakta numri i të lënduarve nga përleshjet që ndodhën në shkallët e stadiumit.

Lajme të ngjashme