Pamje: Patriot Sejdiu shënon dy gola në fitoren e Malmos - NACIONALE

Pamje: Patriot Sejdiu shënon dy gola në fitoren e Malmos

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Patriot Sejdiu ka shkëlqyer gjatë ditës së sotme në kampionatin suedez, duke ndihmuar Malmon falë dy golave të tij ta sigurojë një fitore të vlefshme me rezultar 3:1 kundër Sirius.

Patriot Sejdiu ka nisur ta marrë formën e tij më të mirë te Malmo, duke ndihmuar skuadrën më të trofeshme suedeze që të sigurojë fitoren e radhës në kampionat, e cila ishte shumë e rëndësishme në garën për titull

Ai pati disa vështirësi që të përshtatej te Malmo, pasi kishte edhe probleme me lëndime. Por, drejtuesit e klubit dhe trajneri vendosën që bashkëpunimi të vazhdonte, anipse ishte fare pranë largimit nga skuadra.

Frytet e atij besimi kanë filluar tani të shihen, pasi Sejdiu po vijon një formë të mirë gjatë stinës së verës.

Titullar dhe dy gola

Trajneri serb, Miljovic, ia besoi vendin e titullarit gjatë ndeshjes së sotme kampionale sulmuesit kosovar Patriot Sejdiu. Një përballje jo e lehtë ishte në program. Sirius ishte kundërshtari i nikoqirëve.

Nisjen e ndeshjes nga petku i lojtarit titullar, Patriot Sejdiu e arsyetoi në plotni. Kështu, ai e shpagoi edhe besimin e trajnerit.

Zhvillohej minuta e 33-të e ndeshjes, kur sulmuesi i Kombëtares U21 së Kosovës u gjend siç është më së miri në zonën e ngushtë të portierit kundërshtar, duke e devijuar topin në rrjetë, pasi u shërbye tokazi nga Zeidan. Me këtë gol Malmo kaloi në epërsi me rezultat 1:0.

Kjo ndeshje prodhoi shumë dramë. Pati edhe përjashtim nga loja në dëm të Sirius. Me kartonin e dytë të verdhë për mysafirët u ndëshkua Widgren.

Duke qenë me një lojtar më shumë në fushë, Malmo e shfrytëzoi këtë avantazh numerik, për ta gjetur golin e dytë në ndeshje, përmes Zidan në minutën e 52-të.

Në një moment, kur erdhi thuajse fundi i ndeshjes, nga pika e bardhë rezultatin e ngushtoi Rogic, gjegjësisht në minutën e 87-të.

Megjithatë, për ta vulosur dhe siguruar fitoren e vendësve u përkujdes Patriot Sejdiu, duke shënuar sërish në minutën e 89-të, ku prapë asistues ishte Zeidan.

Me fitoren 3:1 u mbyll edhe ndeshja. Malmo tani gjendet në pozitën e tretë, me 30 pikë të tubuara në 16 ndeshje sa i ka zhvilluar në tërësi. Me pikë po të njëjta e zë vendin e dytë edhe Djurganden, por që ka një ndeshje më pak. Ndërkaq, pozita e parë është e blinduar nga Hacken momentalisht, e cila ka dy ndeshje më pak të luajtura sesa Malmo dhe ka mbledhur gjithsejt 31 pikë.

Te Kosova pak i vërejtur dhe pak hapësirë

Për hir të vërtetës, duke e njohur mirë, ka qenë vetë Albert Bunjaki ai që ka insistuar ta ftojë në Kombëtaren e Kosovës U21.

Megjithatë, në ndeshja që ka zhvilluar me shpresat e Kosovës, Sejdiu nuk është se u shqua me ndonjë paraqitje kushedi të mirë kur iu dha hapësira.

Ai luajti tiullar në stadiumin "Fadil Vokrri", kur Kosova më 25 mars u ndesh ndaj Sllovenisë, duke barazuar 0:0. Në 53 minuta sa ishte në fushë, duke luajtur në pozitën e njëjtë sikurse sot, si sulmues anësor i djathtë, nuk la shije të mirë.

Kësisoj, në qershor ai mbeti jashtë listës për arsye akoma të paqarta, sepse nuk është dhënë ndonjë shpjegim publik nga asnjëra palë.

Në çdo rrethanë, vlerësimi i plotë për cilësitë e tij nuk mund të bëhet me një paraqitje, çfarëdo qoftë ajo. Patriot Sejdiu vazhdon të mbetet alternativë për t'u konsideruar për Kosovën.

Lajme të ngjashme