Pamje: Patrick Vieira përfshihet në një përleshje me një tifoz gjatë tollovisë në fushën e Evertonit - NACIONALE

Pamje: Patrick Vieira përfshihet në një përleshje me një tifoz gjatë tollovisë në fushën e Evertonit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Crystal Palace, Patrick Vieira, u përfshi në një përleshje fizike me një tifoz në fushë, pas disfatës dramatike 3:2 të skuadrës së tij kundër Evertonit. Në pamjet e publikuara nëpër mediat sociale, Vieira shihet duke e goditur me shkelm tifozin nga i cili po tallej.

Vieira nuk ka folur rreth këtij incidenti, i cili doli në sipërfaqe pas konferencës së tij për media. Në video, Vieira, i pashoqëruar nga sigurimi i stadiumit, shihet duke u larguar drejt zhveshtores nëpër fushë kur një tifoz e konfronton duke bërë me gjeste në fytyrën e tij.

Fillimisht, Vieira përpiqet ta injorojë atë duke e vazhduar rrugën para se ta kapë atë në gjoks dhe ta godasë me shkelm.

Tifozët e tjerë të Evertonit i dalin në ndihmë tifozit në fjalë dhe e largojnë Vieiran.

Ky rast me siguri do ta zgjojë kureshtjen e Federatës së Futbollit të Anglisë, pasi përveç përleshjes, tifozët e kishin pushtuar fushën edhe në minutën e 85-të kur Dominic Calvert-Lewin e kishte shënuar golin e triumfit.

Trajneri i Evertonit, Frank Lampark, i ofroi përkrahje homologut të vet pas ndeshjes, duke thënë: “E kuptoj Vieiran. Nuk e pashë në fund, sepse do t’i kisha kërkuar të vinte me ne, megjithëse ai mund të mos kishte pranuar të vinte me ne. Natyrisht, ai eci 100 metra nëpër fushë dhe kjo nuk është e lehtë”.

Në stadiumin e Evertonit, trajnerët nga stoli duhet ta kalojnë tërë fushën për të shkuar në zhveshtore.

Triumfi i Evertonit me një rikthim të çmendur të rezultatit nga 0:2 në 3:2 nënkupton sigurimin e mbijetesës së klubit në Premierligë për të paktën edhe një sezon tjetër.

Tifozët e Evertonit e pushtuan fushën për herë të dytë pas përfundimit të ndeshjes, për ta festuar qëndrimin në elitë.

“Tifozët ishin tejet të lumtur dhe u futën në fushë pasi e ne e shmangëm rënien nga liga. Nëse e bëjnë në mënyrën e duhur, duhet t’i lejosh ata të qëndrojnë në fushë, ta shijojnë momentin e vet. Përderisa sillen mirë, nuk ka problem”, shtoi Lampard.

Lajme të ngjashme