Pamje nga paraqitja e mahnitshme e Messit dhe 5 golat e tij kundër Estonisë
Lionel Messi i shënoi të gjitha pesë golat e Argjentinës në një fitore 5:0 kundër Estonisë të dielën, duke e tejkaluar të madhin e Hungarisë, Ferenc Puskas, në listën e golashënuesve më të mirë në futbollin ndërkombëtar.
Ish-ylli i Barcelonës pati mundësinë të shkëlqejë edhe një herë në tokën spanjolle në një ndeshje të zhvilluar në El Sadar në qytetin verior Pamplona, 43o kilometra larg asaj që ai dikur e quante shtëpi për 21 vjet.
Messu u bë lojtari i parë që i shënon pesë gola në një Kupë Evropiane apo në një ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe në një ndeshje të kombëtareve në nivel senior. Në të kaluarën ai i shënoi pesë gola 10 vite më parë, kur Barcelona e shkatërroi 7:1 Bayer Leverkusenin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve në Camp Nou.
Messi, i cili i ka shënuar 86 gola në 162 ndeshje për Argjentinën, e hapi serinë e golave me një penallti në minutën e tetë, duke e bërë portierin të hidhet në anën e kundërt të portës për ta vendosur topin në rrjetë.
Ylli i Paris Saint-Germainit e dyfishoi epërsinë për Argjentinën pak para pushimit mes pjesëve dhe e shënoi një gol tjetër dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë.
Ai e vulosi fitoren me dy gola të tjerë në minutat 71 dhe 76.
Kapiteni 34-vjeçar i Argjentinës e kaloi me gola Puskasin, ish-yllin e Hungarisë, i cili i kishte shënuar 84 gola në 89 ndeshje.
Messi është tri gola mbrapa ish-sulmuesit të Malajzisë, Mokhtar Dahari, i cili është i treti në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e ekipeve kombëtare.
Ali Daei i Iranit me 109 gola është i dyti, ndërsa i pari është Cristiano Ronaldo i Portugalisë me 117 gola. Ronaldo i shënoi dy gola në fitoren e Portugalisë 4:0 kundër Zvicrës të dielën.