Pamje: Neymar simulon duke u hedhur si në pishinë, gjyqtari e përjashton nga loja
Braziliani Neymar duket se është i papërmirësueshëm sa i përket sjelljeve të tij në fushë. Ai sot sërish simuloi, por e pësoi keq, pasi gjyqtari e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë duke e përjashtuar nga loja.
Ylli brazilian i PSG, Neymar, u vendos në formacionin titullar nga Galtier, në ndeshjen që PSG e fitoi me vështirësi në terrenin vendës me rezultat 2:1 ndaj Strasbourg.
Megjithatë, gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur për Neymarin. Ai ishte protagonist për të keq në këtë sfidë, edhe pse në fillim tregoi gjëra të mira, duke asistuar madje edhe për golin që i dha epërsinë parisienëve.
Sidoqoftë, ai vetë i dha hije të zezë paraqitjes së tij. Krejt kjo ndodhi në pjesën e dytë. Fillimisht u ndëshkua në minutën e 61-të me karton të verdhë, për shkak të një ndërhyrje të parregullt.
Ndërkaq vetëm dy minuta më vonë pranoi edhe kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar kështu nga loja. Një gjë e tillë rrodhi si pasojë e një simulimi vërtet qesharak, kur ai u hedh sikur të ishte në pishinë, duke pretenduar se ishte penguar në zonë. Madje, aludoi edhe për një penallti.
Gjyqtari i ndeshjes u tregua syhapur. Ai pa aksionin nga afër dhe nuk e toleroi fare 30-vjeçarin, duke e përjashtuar nga loja me të ndëshkuar me kartonin e dytë.
Episod që përsëritet për të disatën herë. Neymar edhe në të kaluarën ka treguar që është fare i pakujdesshëm dhe shumë naiv në situata të tilla.
