Pamje: Neymar e thërret Suarezin në mbështetje të Messit në Parkun e Princave, pasi kthimi i argjentinasit nuk u prit mirë
Neymar dhe Luis Suarez e shikuan shokun e tyre të vjetër, Lionel Messin, në mënyra të ndryshme, teksa tifozët po e vërshëllenin kthimin e argjentinasit në fushë.
Anësori brazilian i Paris Saint-Germain, i cili është i lënduar tash e disa kohë, ishte në tribuna të stadiumit kur kampioni francez në fuqi e mposhti Ajaccion me rezultat të thellë 5:0. Neymar bëri një video-telefonatë me ish-bashkëlojtarin e tij, Suarez, teksa ndeshjes po zhvillohej në Parkun e Princave, me dyshen që ishin në përkrahje të Messit, i cili u prit në mënyrë të ashpër nga tifozët vendas.
Tifozët e PSG-së janë kthyer kundër Messit, pasi 35-vjeçari dështoi të sillte suksesin në Ligën e Kampionëve, teksa bëri edhe një udhëtim në Arabinë Saudite, pa pyetur fare klubin, me të cilin rast fillimisht u dënua, por pastaj drejtuesit ia hoqën dënimin.
Ylli brazilian ndau një imazh në Instagram Story duke treguar atë dhe Suarez në telefon, duke shtuar mbishkrimin: "Duke parë mikun tonë [Leo Messi] së bashku".

Nuk ishte rasti më i mirë për Messin, pavarësisht se fitorja e skuadrës së tij ishte e thellë dhe i vendosi ata në prag të një triumfi për titullin e Ligue 1. Argjentinasi u tall nga tifozët e PSG- së në kthimin e tij, pasi u pezullua nga kampionët francezë për udhëtimin e tij jashtë shtetit.
PSG-së i kanë mbetur edhe tre ndeshje për të luajtur në Ligue 1, teksa janë afër mbrojtjes së titullit. Ndeshjen e radhës do ta zhvillojnë kundër Auxerre më 21 maj. Pas përfundimit të sezonit, Messi pritet t'i bashkohet një klubi të ri në afatin kalimtar veror, pasi është lojtar i lirë, me hapat e ardhshëm të mundshëm drejt Ligës Pro Saudite, MLS apo La Ligës për fituesin e Kupës së Botës.

