Pamje: Muja më në fund zhbllokohet, gjen golin e parë në Belgjikë - NACIONALE

Pamje: Muja më në fund zhbllokohet, gjen golin e parë në Belgjikë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arbnor Muja ka arritur ta gjejë golin e parë në Belgjikë. Ai shënoi një gol në fitoren e Antwerp 4:0 kundër St. Liege në 1/8 e finales të Kupës së Belgjikës.

Ndeshjen nuk e nisi titullar, por hyri shumë shpejt, që në minutën e 10-të, pasi u lëndua njëri prej bashkëlojtarëve të tij (Scott). Për Mujën kështu nisi një mbrëmje e paharruar.

Ai në pjesën e dytë u bë protagonist në fitoren e Antwerpit. Fillimisht në minutën e 55-të me të majtën e tij asistoi te Frey, i cili devijoi topin pak metra afër portës, duke shënuar për 2:0.

Ndërkaq golin e parë në Belgjikë sulmuesi këmbëshpejtë kosovar e shënoi në minutën e 59-të. Me topin e kthyer nga një pritje e portierit, Muja ia doli që në brendi të 16-metërshit ta shkundë portën për 3:0 (VIDEO).

Në minutën e 79-të fitoren e Antwerpit e vulosi Stengs, duke shënuar për 4:0. Me këtë rezultat mbaroi kjo ndeshje, e cila do të mbahet mend edhe për kontributin e sulmuesit mitrovicas.

Ambientimi i vështirë në Antwerp

Siç ishte edhe e pritshme, kalimi nga Drita tek Antwerpi domosdo nuk ishte i lehtë për Mujën. Ai filloi një etapë komplet të re, në një futboll e sistem më ndryshe seç ishte mësuar të luante në Kosovë.

Ai më 5 gusht u zyrtarizua si lojtar i Antwerpit, pasi këta të fundit ishin ndarë të kënaqur me cilësitë e tij në ndeshjen direkte që klubi belg kishte luajtur ndaj Dritës.

Arbnor Muja ishte prej lojtarëve më shpërthyes të Dritës në ato dy ndeshje. Jo më kot edhe ra në të drejtuesve belgë, të cilët i afruan një kontratë trevjeçare me klubin e tyre.

Megjithatë, nga lëndimet e deri te vonesa e përgjithshme në ambientim, bëri që Muja të mos kishte një fillim ëndrrash në kampionatin belg.

Gjendja e tij fizike nuk ka qenë prej më të mirave. Një faktor i tillë e ka komprometuar jo pak rendimentin e tij në këtë fillim të sezonit.

Ai tek më 2 tetor arriti që ta lënte anash lëndimin në këmbë, duke luajtur për 46 minuta në humbjen e parë të Antwerpit kundër Kortrijk me rezultat 2:1 në kampionat, pas një serie prej nëntë fitoreve rresht.

Ai vetëm në dy ndeshjet vijuese në kampionat kishte arritur që të luante si startues. Më pas, për shkak të paraqitjeve jo bindëse, u la në stol.

Ndeshjet e kupës janë ato që i kanë dhënë më shumë kënaqësi ish-sulmuesi të Dritës dhe Trepçës ’89. Para këtij rrethi kualifikues, në rrethin paraprak ai kishte shënuar nga pika e bardhë në njërën prej penalltive ndaj Beveren, me anë të cilave Antwerp siguronte kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës.

Ajo ishte vetëm shkëndija e parë, pasi pikërisht sot, gjithmonë në Kupën e Belgjikës, arriti ta gjejë edhe golin e parë me fanellën e klubit të tij të ri.

Lajme të ngjashme