Pamje: Magjepsës Messi, shënon gol të mrekullueshëm pas rikthimit nga Botërori - NACIONALE

Pamje: Magjepsës Messi, shënon gol të mrekullueshëm pas rikthimit nga Botërori

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lionel Messi ka arritur ta shënojë një tjetër gol në Ligue 1. Me t'u kthyer nga pushimet pas Kupës së Botës, ylli argjentinas shënoi golin e tetë (8) sezonal në Ligue 1.

Ylli argjentinas për herë të parë u rikthye të luajë me PSG qëkur fitoi Kupën e Botës me Argjentinën. Pas një pushimi prej më shumë se dy javësh, sërish iu bashkua bashkëlojtarëve të tij në skuadrën franceze.

Dhe, ai prapë u bë protagonist i një goli vërtet të bukur që shënoi me ekipin parisien. Në minutën e 72-të shtatë herë fituesi i Topit të Artë arriti që në formë të zgjuar dhe me një klas të pashoq ta mposhtë portierin kundërshtar të Angers, duke ia sjellë kështu PSG dyfishimin e rezultatit.

Ky ishte goli i tij i 8-të në kampionat në 14 paraqitje sa i ka realizuar në tërësi deri më tani. 35-vjeçari qëndroi në fushë deri në fund të takimit. Dalëngadalë Messi po i afrohet edhe listës së golashënuesve më të mirë në ligë, e cila udhëhiqet nga bashkëlojtarët e tij, Mbappe me 13 gola, respektivisht Neymar me 11 sosh.

Njëherësh, falë këtij goli parisienët konfirmuan edhe fitoren, pasi deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk u arrit që portat të tundeshin më.

Falë kësaj fitore PSG konfirmon epërsinë solide prej gjashtë (6) pikëve si lider në Ligue 1. Skuadra e drejtuar nga Galtier pas 18 xhirove të zhvilluara në kampionatin francez ka 47 pikë të arkëtuara, e pasur nga Lens në pozitën e dytë me 41 pikë.

Në këtë ndeshje nuk luajti titullar Mbappe, pasi iu dha pushim nga trajneri francez. Tre pikë të radhës për kampionët në fuqi të Francës, që ishte edhe si një lloj kundërpërgjigje pas asaj humbje të çuditshme nga Lens me rezultat 3:1 gjatë xhiros së kaluar.

Lajme të ngjashme