Pamje: I jashtëzakonshëm Muja – driblon kundërshtarin e më pas asiston për golin e Antwerpit - NACIONALE

Pamje: I jashtëzakonshëm Muja – driblon kundërshtarin e më pas asiston për golin e Antwerpit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Arbnor Muja po kalon në formë shumë të mirë pas pauzës të Kupës së Botës. Ai ka arritur që ta regjistrojë edhe asistin e parë në kampionat gjatë ndeshjes së sotme kundër Westerlo.

Ish-sulmuesi i Trepçës ’89 dhe Dritës, Arbnor Muja, po zë çdoherë e më shumë vend meritor në formacionin e Antwerpit, që drejtohet nga trajneri që dikur ishte futbollist i mrekullueshëm i Holandës, Van Bommel.

Sot, ai në minutën e 51-të arriti të shërbejë asistin e golit që shënoi bashkëlojtari i tij Frey. Krejt këtë e bëri në mënyrën më të bukur të mundshme, pasi nga krahu i majtë dribloi kundërshtarin deri sa e zhagiti, për ta gjetur të lirë më pastaj me pasim sulmuesin zviceran që ngushtoi epërsinë në 2:1.

Kjo është vetëm ndeshja e dytë që sulmuesi 24-vjeç kosovar po e luan si titullar në kampionatin belg. Deri te ky besim i krijuar nga trajneri Van Bomel për të ka ardhur si pasojë e paraqitjes së fundit që pati kundër St. Liege në Kupën e Belgjikës, ku shënoi gol dhe ndihmoi me një tjetër asist.

Gjatë javës Muja zhvilloi edhe një intervistë interesante për gazetën e madhe belge “HLN”. Ai tha se lëndimi që kishte pësuar në fillim të sezonit e kishte komprometuar shumë ambientimin e tij në futbollin belg.

Rifillimi i futbollit të luajtur në nivel klubesh pas përfundimit të Kupës së Botës mund të quhet një pikënisje e mbarë për sulmuesin mitrovicas.

Kështu ai mund që ta përforcojë edhe më shumë pozitën e titullarit, sidomos tani që sezoni fillon të hyjë në fazën e vet më të nxehtë.

Lajme të ngjashme